Lokale - eSIMy

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se sa i përket vendimit për shkarkimin e Agim Veliut e ka njoftuar kreun e LDK-së, Isa Mustafa gjysmë ore më herët.

“Unë e kam njoftuar më shumë se gjysmë ore përpara për vendimin që kam marrë dhe kam kërkuar emrin e ri. Me marrëveshjen tonë të koalicionit jemi zotuar se do të mbajmë qendrime të njejta. Po mos të ishte deklarimi i mesnates i ish-ministrit sot do të ishte situate tjetër, por tash e kemi qeverinë e re, dhe nuk mund të kemi minsitra që i harmonizojnë qëndrimet me dikë nga regjimi i vjetër”, ka shtuar Kurti.

“Duhet të theksoj se pas mbledhjes së mbrëmshme të Këshillit të Sigurisë, unë nuk i kam ndjekur menjëherë deklarimet, por ato i kam parë sot në mëngjes. Dhe në mesin e tyre, kryesori ishte ai i ish-ministrit të Brendshëm, Veliu, i cili në mesnatë, në një televizion të Kosovës, ka përhapur panik, duke thënë se numri i të infektuarve po rritet nga ora në orë. Natyrisht se këta 19 të infektuar deri mbrëmë nuk ishin për 19 orë. Mbase ishin për 19 ditë, por jo për 19 ditë. Të thuash pa kurrfarë evidence, pa kurrfarë baze shkencore, pa kurrfarë raporti zyrtar a institucional, se numri i të infektuarve po shtohet nga ora në orë, është e papërgjegjshme. E kur ke edhe përgjegjësi ekzekutive, është e dënueshme. Së dyti, përveç që u gënjye drejtpërsëdrejti në TV, në drejtim të frikësimit dhe shtimit të panikut aty ku ai mund të ketë ekzistuar, në pyetjen shumë të qartë të gazetarit: ‘a jeni për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme’, ish-ministri tha, ‘Po, sigurisht’. Kjo është e palejueshme dhe unë s’kisha zgjidhje tjetër përveçse ta liroj nga detyra ish-ministrin Veliu”, theksoi Kurti.

“Më shumë se gjysmë ore paraprakisht e kam njoftuar kryetarin e LDK-së dhe kam kërkuar një emër tjetër për këtë post. Pra, nuk kam zëvendësuar ministrin me një të preferuar timin, por kam kërkuar një emër tjetër prej atij i cili shprehu tradhti të dyfishtë, ndaj qeverisë dhe Policisë së Kosovës. Të jesh ministër i Brendshëm dhe të kërkosh kokë më vete gjendje të jashtëzakonshme, do të thotë ta përçmosh policinë që ka kryer shumë mirë detyrat. Në Polici vazhdon orari 8-orësh. Policia së pari nuk është në gjendje të jashtëzakonshme. Pse po u dashka të shpallet gjendja e jashtëzakonshme? Kapacitetet e Policisë së Kosovës janë shumë më të mëdha se ato që i përdorim sot. Kjo është e pashembullt. Është tradhti ndaj Policisë së Kosovës që e ka kryer punën shkëlqyeshëm duke i kryer e zbatuar detyrat dhe urdhrat që i janë vënë asaj. Sa ishte ministër, ish-ministri, vetëm një mbledhje e ka mbajtur për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Vetëm një mbledhje në Ministri. Tradhtia e tij e dyfishtë, ndaj Qeverisë ku ishte anëtar, dhe ndaj Policisë në krye të së cilës u vu, nuk mund të tolerohej”, deklaroi kryeministri i Kosovës.