Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka bërë të ditur se kanë vendosur që ta ndërpresin zbatimin e planit operacional për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Podujevë, njofton Llapi.info.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se Presidenti i vendit e ka aprovuar rekomandimin që të shtyhen zgjedhjet e nesërme në komunën e Podujevës.
“KQZ e konsideron të nevojshme të njoftojë qytetarët e Republikës së Kosovës se pasditen e së shtunës (14 mars 2020) ka kërkuar nga Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi shtyrjen e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar Komune në Podujevë, të parapara të mbahen më 15 mars 2020. Kjo kërkesë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është bërë pas rekomandimit të institucioneve përgjegjëse dhe profesionale, si Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe Komitetit për Monitorimin e Sëmundjeve Ngjitëse të Ministrisë së Shëndetësisë (14 mars 2020) që “të pezullohen përkohësisht zgjedhjet e 15 mars 2020 në Podujevë për të parandaluar përhapjen e COVID-19 në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pas pranimit të Vendimit të Presidentit të Republikës së Kosovës për shtyrjen e datës së këtyre zgjedhjeve, ka vendosur që të ndërpresë zbatimin e planit operacional për organizimin e këtyre zgjedhjeve”, përfundon njoftimi./Llapi.info






