Frika nga përhapja e koronavirusit ka shtyrë shumë qytetarë që të blejnë ushqimet bazike. Pas kësaj, në opinion është krijuar dyshimi se pas kësaj çmimet në treg kanë pësuar rritje.
Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, për këtë ka mbajtur një konferencë për media lidhur me masat që ky institucion është duke i ndërmarrë, njofton Klan Kosova.
Ai tha se hetimet kanë filluar, por ende nuk dihet nëse çmimet janë rritur vërtet.
“Nga ajo që kemi parë në medie dhe analizave që kemi bërë në teren, kemi vërejtur një fluks të qytetarëve dhe ne si Autoritet të Konkurrencës dëshirojmë të sigurohemi se nuk do ta keqpërdorimin situatën e krijuar këto ditë”.
“Rrjedhimisht ne kemi filluar hetimet paraprake në ngritjen e çmimeve ndaj produkteve bazike. Gjatë kësaj faze ne si Autoritet grumbullojmë të dhëna nga operatoret e tregut dhe nga institucionet tjera siç janë Dogana dhe ATK, para se të merret një vendim për procedurat hetimore”.
Prestreshi tha se janë 15 inspektorë që kanë dalë në terren për të vërtetuar dyshimet dhe për të marrë masa nëse është shkelur Ligji i Konkurencës.
“Ne do të sigurohemi nëse kompanitë kanë bërë shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, pasi që më sjelljet anti-konkurruese do të bëjnë që Autoriteti të marrë vendim të përshtatshëm sipas situatës”.






