Kandidati i PDK-së për kryetar të komunës së Podujevës, Naim Fetahu në “Express Intervistën” në KTV ka thënë se fokusi i tij është zhvillimi ekonomik.
Ai thotë se qytetarët duhet ta votojnë atë, pasi do të sjellë ndryshimin në këtë komunë.
“Qytetarët e Podujevës duhet të më votojnë mua sepse për 20 vite Komuna e Podujevës është qeverisur keq. Të dy kundërkandidatët e mi kanë qenë pjesë e kësaj të keqe që i ka ndodhur komunës sonë, dhe ndryshimi mendoj se jam unë, programi im, të cilin e kam përgatitur me ekspertët më të mirë të të gjitha fushave, sepse Podujeva meriton më mirë”, ka thënë Fetahu.
Ai ka mohuar se ka qenë ndonjëheë pjesë e LDK-së.
“Nuk kam qenë pjesë e LDK-së asnjë ditë, jam qytetar që kam marrë pjesë në të gjitha institucionet në nivelin lokal dhe atë qendror. Dy mandate kam qenë kryetar i Grupit Parlamentar në Asamblenë komunale të Podujevës, pastaj kam mbajt një sërë detyrash në nivelin qendror që mendoj se më kanë përgatitur jashtëzakonisht mirë që të jap më të mirën për komunën tonë dhe t’u shërbej qytetarëve”, ka thënë Fetahu.
Tutje ai thotë se në Podujevë është qeverisur keq e tregon fakti se ka vetëm një çerdhe publike.
“Podujeva është qeverisur keq. Paramendojeni në komunën tonë prej 100 mijë banorëve kemi vetëm një çerdhe publike, si mund të zhvillohet gruaja në komunën tonë kur nuk ka fëmijët ku t’i lërë. Sot nuk ka bibliotekë komuna jonë, nuk ka pas gatishmëri për të bërë punë të mira. E cilësia në arsim është jashtëzakonisht e ulët”, ka thënë Fetahu.
Ai insiston se në Podujevë nuk ka bastion të askujt.
“Jam i sigurt që mund të thyej këtë bastion, dhe më Podujeva nuk është bastion i askujt. Qytetarët janë të pakënaqur me qeverisjen e deritanishme. Kam komunikuar me të gjithë kategoritë e shoqërisë sonë dhe i dimë hallet e tyre, dhe në këtë mënyrë kemi përgatitur edhe programin qeverisës”, ka thënë ai.
Fetahu thotë se fokusi i tij kryesor është zhvillimi ekonomik.
“Fokusi im është tek zhvillimi ekonomik, kemi mbetur mbrapa, dhe shumë biznese e kanë braktisur Podujevën duke shkuar në Prishtinë e qytetet e tjera, këtë duhet ta rregullojmë. E kam paraparë që të kemi një zonë industriale ku do të koncentrohen bizneset”, ka thënë ai.
Tutje ai ka shtuar se ka paraparë që të ketë një zyre të veçantë brenda komunës për bizneset.
“Kam projektin që brenda 100 ditëshit të parë të qeverisjes sime do të bëj studimin e fizibilitetit për të ndërtuar qendrën ku do të vendosen bizneset dhe bashkë me të kam paraparë të ketë edhe një zyre në kuadër të komunës që të jetë në shërbim të bizneseve. Do të jem partner me bizneset dhe asnjë iniciativë nuk do të marrë pa u konsultuar me ta dhe pa mbështetjen e tyre. Ndryshimi i klimës biznesore është elementi kryesor i të bërit biznes në komunën tonë, dhe këtë bizneset do ta gjejnë në programin tim. Transparenca e plotë e mundëson zhvillimin e konkurrencës dhe nuk do të lejojë që të krijohen monopole”, ka thënë Fetahu.
Sipas tij nuk paraqet disavantazh që në nivel qendror ka humbur PDK-ja.
“Ne duhet të mësohemi me kulturë qytetare dhe bashkëpunimin institucional. Do të bashkëpunoj edhe me Qeverinë edhe me qytetarët dhe ky është avantazh. Nuk do të ketë pengesë se kush cilës parti politike i përket”, ka thënë Fetahu.
Ai ka thënë se me programin e tij qeverisës është paraparë se gjysma e drejtorive të udhëhiqen nga gratë, pasi sipas tij ato janë gjysma e votuesve në këtë komunë.