Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se presidenti Hashim Thaçi, asnjëherë nuk i ka ndalur negociatat sekrete me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe se për këtë është i bindur që ekziston një marrëveshje sekrete mes dy presidentëve.
Në fjalimin e tij në Kuvendin e Kosovës, Kurti ka theksuar se ashtu siç është Qeveria e re, duhet të ketë edhe një president të ri, përcjell Telegrafi.
“Siç kemi Qeveri të re, mbase duhet të kemi edhe president të ri. Unë nuk jam anti-amerikan, presidenti është anti-evropian. Thaçi deklarohet haptas që është ani-evropian, e mua më akuzojnë që jam anti-amerikan. Unë jam pro evropianëve dhe pro amerikanëve. I dua SHBA-në dhe Bashkimin Evropian”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se zëvendësimi i taksës 100 për qind me masën e reciprocitet është qëndrim normal.
“Mbajtja e tarifës 100 për qind siç është pa reciprocitet është pozicion ekstrem. Pra të thuash tarifë 100 për qind, dhe të thuash që nuk e qaj kokën për asgjë është pozicion ekstrem. Edhe heqja e plotë e tarifës 100 për qind pa e përmendur fare reciprocitetin është po ashtu pozicion ekstrem. Ne duhet të jemi kundër këtyre ekstremeve, ne duhet të jemi normal. Dhe unë jam i bindur që ka një qëndrim normal dhe ky është zëvendësimi i tarifës me reciprocitet. Negociatat sekrete nuk janë ndalur asnjëherë, si kryeministër kam më shumë informacione se sa kur isha kryetari Lëvizjes Vetëvendosje”, ka theksuar kryeministri Kurti.






