Lideri i opozitës, Kadri Veseli, në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga pozita për taksën si dhe raportet me SHBA-në, ka thënë se kryeministri Kurti, sipas tij, është kundërshtari më i madh i vetëvetës por edhe shtetit të Kosovës.
Ai i ka thënë Kurtit se opozita më me qejf do të donte që qeveria Kurti ta kryente mandatin 4-vjeçar se sa të rrëzohej nga qeveria për shkak të konfrontimeve me SHBA-në.
Veseli ka deklaruar se Qeveria do të kishte mbështetjen e PDK-së për t’i çuar hajnat në burg, duke shtuar se prishja e raporteve me ShBA është gabim i rëndë.
“Si lider i opozitës do ta kishe mbështetjen time për të bërë një shtet më të mirë. Për t’i çuar hajnat në burg, hajnat dhe të gjithë abuzuesit. Por kam frikë se nuk jeni të sinqertë. Tendosja në raportet me ShBA është gabim i rëndë, është llogari e bërë keq. Qëllimi i kësaj seance është se a mund të na tregoni se çfarë po synoni të arrini me këtë qasje. Cilët janë aleatët tuaj të rinj nëse trupat amerikane largohen nga Kosova. Për të gjitha këto populli ka nevojë ta dëgjoj një përgjigje nga ju si kryeministër i vendit”, ka shtuar ai.






