Lokale - eSIMy

Kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Komunës së Podujevës ka thënë se ish-kryetari Agim Veliu dëshiron ta bëjë këtë komunë monarki.

Në tubimin në shkollën e fshatit Lluzhan, Bulliqi ka deklaruar se Veliu po synon që në postin e të parit të komunës ta sjellë djalin e tij.

“Mendoj se u ba mirë që shkoi një kryetar i cili pas vete la një qeverisje të keqe dhe i lëshoi udhë të vijë një kryetari tjetër që do të qeverisë mirë. E këtë mund ta bëjë vetëm Vetëvendosja. Ky pushtet, i cili qytetarët nuk i ka parë të barabartë… një kryetar i cili ka ba dallime ndërmjet qytetarëve të vet”, ka thënë Bulliqi, raporton KOHA.

“Këto ditë na japin shembuj se si nuk duhet të qeverisësh… Ka qeveris me hile duke iu dhënë përparësi klaneve, grupacioneve të caktuara. Si rezultat i kësaj qeverisjeje të keqe dhe me hile, sot radhitet një ndër komunat më të pazhvilluara. Edhe ato pak biznese që kanë mbetur, një pjesë e tyre janë ngufatë, një pjesë janë zhvatë dhe një pjesë kanë ikur nga Podujeva. Ata llapjanë nuk kanë shkuar për përfitime më të mëdha, por Komuna nuk iu ka siguru kushte për punë…”, ka potencuar kandidati i VV-së për të parin e Podujevës.

Ai ka thënë se pushteti i deritashëm nuk ka lënë gjë pa keqpërdorur.

“E kanë krijuar një administratë ku djemtë e ish-kryetarit këto ditë po e luajnë rolin e kryetarit duke shkuar shtëpi për shtëpi dhe duke iu premtuar projekte, para etj… Kemi informacione se nënkryetar do të vjen djali i ish-kryetarit dhe pas dy viteve ta vërë djalin edhe për kryetar e ta bëjnë monarki. Kjo klasë politike duhet me u rrëzua me referendum. Jo me shtrua pyetje a po fitojmë me 51 për qind, por duhet me i rrëzua me 85 për qind. Nuk kanë lanë formë pa e keqpërdor. Secilën kontratë që e kam në dorë kanë bërë shkelje ligjore”, ka deklaruar deputeti i Vetëvendosjes.

Sipas tij, organizata të huaja e vendore e kanë vënë Podujevën në vendin e 22-të për mostransparencë. Shpejtim Bulliqi ka thënë për Agim Veliun se ka qeverisur keq në Podujevë dhe se mirë nuk mund të qeverisë as në qendër.

“Ai (Veliu v.j.) nuk ka fituar edhe më herët, por duke i blerë votat e PDK-së, e kështu po mendon me vazhdua sërish… Për kolektorin po keqinformohet publiku se kinse ka marrë kredi nga Qeveria e Austrisë. Ndërsa është marrë kredi nga një firmë private austriake, e cila ka kushtëzua me pasë kontratë ata, me i ble edhe gypat nga ta. Edhe nuk po shkon në Lupç ku është kufiri administrativ i Komunës, po ka fillua në Penuhë dhe shumë fshatra do të mbesin jashtë tij. E kemi hap një kandahar në qytet që do të kushtojë 2.3 milionë euro, ndërsa një pediatër nuk e kemi”, shtoi ai.

Kandidati i VV-së ka premtuar transparencë në administratën komunale, punësime në bazë të meritokracisë, zgjerim të rrjetit të e-kioskave, transparencë në buxhet.

“Ne zotohemi se nuk vijmë me vjedh këtë buxhet, por për ta menaxhuar mirë këtë buxhet. Nuk do të bëjmë rrugë me 5 cm asfalt. Do t’i bëjmë sipas standardeve. Do të mundohemi që të gjitha shkollat t’i bëjmë me laboratorë. Në shkollat e mesme do të bëjmë profile që janë në interes të Komunës. Nuk do t’u japim multikultivatorë atyre që jetojnë në Prishtinë, po atyre që e punojnë tokën. Nuk do t’iu marojmë stalla atyre që nuk kanë lopë. Kemi dhënë shembull për një muaj të qeverisë Kurti…të njëjtën qeverisje do ta bëjmë edhe në Podujevë. Dhe nuk e kemi të vështirë, sepse e kemi mbështetjen e Qeverisë Kurti”, u shpreh ai.

Ndërsa deputeti i kësaj partie Fitim Haziri ka thënë se ata të cilët nuk e deshën Komunën dhe nuk e qeverisën mirë ikën.