Vasfije Krasniqi-Goodman në fjalën e saj drejtuar deputetëve të Kuvendit, ka thënë se edhe nga foltorja e Kuvendit ka pasur deklarata të cilat i kanë lënduar viktimat e dhunës sksuale.
Ajo tutje ka shtuar se këto viktima ende stigmatizohen në Kosovë.
“Është nder dhe emocion i jashtëzakonshëm për mua që të jem këtu në institucionin më të lart të Kosovës. Tashmë ju e dini që kam pas rastin të flas në vende të ndryshme të botës por asnjëherë nuk jam ndier si po ndihem sot në Kosovë. Ndihem mirë kur e di që ka anëtarë që përkrahin, e burra që i mbrojnë e përkrahin viktimat e dhunës seksuale, por ndihem keq kur e di që ka anëtarë që nuk i mbrojnë e përkrahin. Edhe prej kësaj foltore kanë dalë fjalë që na kanë lënduar neve viktimave shumë. Vendi jonë, shoqëria jonë neve na stigmatizon”, ka thënë ajo.
Krasniqi-Goodman ka thënë se duhet t’iu vije turp të gjithë atyre që po stigmatizojnë viktimat e dhunës seksuale.
Ajo ka bërë thirrje që të ndryshohet kjo praktikë dhe viktimat të marrin trajtimin e merituar.
Ajo ka thënë që krimet e luftës dhe dënimet ndaj kriminelëve duhet të merren më seriozisht.
“Ku ishit ju kur iu dhunua gruaja, e ku e morët guximin me e lënë atë grua, ku ishin djemtë që e lanë atë nënë? Ku ishit ju, kur u dhunua Jeta 7 vjeçare? E tash ju çfarë po bëni? Duhet me i ardh turp të gjithë shoqërisë kosovare që po na stigmatizoni. Ne po duam mbrojtje, me na përkrahë e mbështetë se çka na ka ndodh neve ka qenë krim i luftës, e ju nuk keni qenë aty me na mbrojt. Kemi dëgjuar shumë shpesh që kanë thënë Vasfija e ka shumë lehtë se e ka burrin amerikan, por mos harroni se vëllai im është këtu që ballafaqohet me fjalime, me atë çfarë thonë njerëzit. Na jemi duke e bërë një punë që ju nuk jeni në gjendje me bë për nënën, motrën, e gruan tuaj. Duhet të ndryshoni se ka ardh fundi. Nuk ua falim atë që na keni bë me përjetu që 20 vjet. Krimet e luftës me i marrë me seriozitet e dënimet me i marrë me seriozitet. Unë nuk kam me u ndal që të tjerat me pas drejtësi atë që mu ka mohu mu. Ju kisha lut në këto raste t’i merrni më zemersisht që të fitojmë drejtësinë”, ka thënë ajo.






