Lokale - eSIMy

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka uruar 7 Marsin-Ditën e Mësuesit.

Përmes një postimi në Facebook ka shkruar se në këtë ditë kujton historinë e shkollës shqipe që ka luajtur rol qenësor në zhvillimin e qytetërimit shqiptar, në krijimin e ndërgjegjes kombëtare dhe në emancipimin e përgjithshëm shoqëror.

“Kujtojmë me respekt sakrificën dhe kontributin e jashtëzakonshëm të mësimdhënësve në vitet më të errëta të robërisë. Ndërkaq, sot urojmë të gjithë mësuesit, arsimtarët dhe pedagogët me besimin se ata vazhdojnë të jenë prijatarë të ngritjes së gjeneratave të reja të Kosovës, konkurrente dhe të barabarta me gjeneratat e tyre në rajon dhe më gjerë”, ka shkruar ai.

Këtë ditë e ka uruar edhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami.

Ajo përmes një postimi në Facebook ka shkruar se kjo ditë e rëndësishme është një momentum për të kujtuar breza të pafund mësuesish të cilët dhanë gjithçka nga vetja e tyre për edukimin e gjeneratave të tëra bashkëkombësish.

“Mësuesit tanë ndriçuan të ardhmen e qindra mijëra të rinjve e të rejave. Ata arritën të brumosin thellë idealet liridashëse e atdhetare tek një shoqëri e tërë. Falë tyre, këto virtyte u vunë në shërbim të përpjekjeve për emancipim, për liri, pavarësi dhe shtetndërtim, për të mirën tanë e të brezave që do të vijnë pas nesh”, ka shkruar ajo.

Bajrami ka thënë se ashtu sikurse mësuesit Rilindas, që nga Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi e shumë e shumë të tjerë, edhe në Kosovën e okupuar, mësuesit ishin misionarë të shpresës e humanizmit duke dhënë më të mirën e tyre për të mbajtur gjallë dëshirën për dije dhe gatishmërinë për sakrificë.

“Pikërisht për faktin se dija e përçmon robërinë e nuk duron nënshtrimin. Ajo këput prangat e tiranisë ashtu siç bëri në të vërtetë. Sot duhet të reflektojmë, që mësuesit t’i çmojmë, e t’u krijojmë kushte, sepse duhet të përgatisim brezat për kohët e reja dhe sfidat e reja, ku dija, shkathtësitë dhe arsimimi cilësor janë çelësi për prosperitet dhe zhvillim të gjithmbarshëm”, ka shkruar ajo.

Për të përmbushur këtë vizion, ajo ka thënë se si Qeveri e Republikës së Kosovës do t’i mbështesin mësuesit, nxënësit, shkollën dhe arsimin në përgjithësi.

“Në këtë mes, ne nuk do t’i harrojmë, përkundrazi, do t’i mbështesim njëkohësisht edhe të gjithë mësuesit në diasporë, bashkë me nxënësit e prindërit që mbajnë gjallë me dashuri e pasion mësimin e gjuhës dhe kultivimin e kulturës sonë kombëtare”, ka shkruar ajo.

Ndërkaq lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka quajtur ditë të shënuar 7 Marsin.

Ai në Facebook ka shkruar se më së vështiri e kanë pasur mësuesit dhe nxënësit e viteve të nëntëdhjeta.

“7 Marsi – Dita e Mësuesit, është një ditë e shënuar dhe shumë e rëndësishme për historinë e popullit shqiptar. Kujtoj, në veçanti, mësuesit e mi dhe gjithë mësuesit dhe mësueset shqiptare ndër breza që sakrifikuan gjithçka për të na edukuar e mësuar. Më së vështiri e patën mësuesit e nxënësit e viteve të nëntëdhjeta, të cilët në kushte shumë të vështira është dashur që të mësonin, edhe kur regjimi atëherë ua ndaloi mësimin qytetarëve të Kosovës veç pse flisnin shqip. Tashmë, mësimdhënësve të kësaj periudhe u njihen kontributet edhe nga shteti, falë një vendimi të qeverisë, për të cilin jam shumë krenar! Urime kjo datë e rëndësishme, të gjithë mësimdhënësve shqiptarë”, ka shkruar ai.