Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim Ambasadoren e Holandës në Kosovë, Gerrie Willems
Gjatë këtij takimi, Willems u interesua për prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë, duke thënë që Holanda është e gatshme të ofrojë mbështetjen e plotë në fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë me synim të ndërtimit të një sistemi të pavarur dhe efikas të drejtësisë që është në interes të qytetarëve të Kosovës.
Në këtë drejtim, ambasadorja holandeze ndau shembujt ekzistues të bashkëpunimit në mes Kosovës dhe Holandës në fushën e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit që kontribuon në përmirësimin e klimës së bizneseve lokale dhe ndërkombëtare.
Gjithashtu, ministrja e Drejtësisë ndau informata lidhur me planin e vetingut dhe Rishikimin funksional të sistemit të drejtësisë.
Gjatë takimit, ajo e informoi ambasadoren Willems për progresin e bërë në këtë drejtim, duke theksuar që Ministria e Drejtësisë do të jetë gjithnjë e fokusuar ne përmbushjen e gjitha kushteve të nevojshme për të kthyer besimin e qytetarëve, bizneseve dhe investitorëve të jashtëm në sistemin e drejtësisë së Kosovës.
Në këtë drejtim, Haxhiu shprehu gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit të deritanishëm mes Mbretërisë së Holandës dhe Republikës së Kosovës në fushën e sundimit të ligjit.
Ministrja Haxhiu, falënderoi ambasadoren Willems, ndërsa vlerësoi lartë mbështetjen e Mbretërisë së Holandës për proceset që ka kaluar Kosova.






