Policia e Kosovës ka njoftuar se ka kryer dhjetë arrestime në tre operacione të ndryshme brenda 24 orësh, me qëllim të parandalimit dhe luftimit të trafikimit me substanca narkotike.
Përmes një konference për media nga ky institucion dhanë detaje lidhur me aktivitetet që po kryen policia për luftimin e kësaj dukurie.
Drejtori i Drejtorisë kundër trafikimit me narkotikë, Bahri Shala, njoftoi se policia gjatë 24 orëve të fundit ka kryer tre operacione në tre lokacione të ndryshme.
“Ne operacionin e parë janë identifikuar një grup kriminal të cilët e kanë zhvilluar aktivitetin e tyre për trafikim të substancave narkotike nga Ballkani, në drejtim të vendeve të BE-së”.
“Në këtë rast policia ka arrestuar katër persona të dyshuar, tre shtetas të Kosovës dhe një shtetas të Shqipërisë, në operacionin e realizuar në rrugën Gjakovë-Klinë, në fshatin Xërrxë. Me këtë rast janë konfiskuar 57.5 kilogramë substancë narkotike e dyshuar e llojit marihuanë, tre automjete, katër telefona dhe para të ndryshme, një revole dhe dëshmi të tjera që mund të përdorën në procedurë penale”.

Ndërsa dy operacionet e tjera janë zhvilluar në Fushë Kosovë dhe Gjakovë.
Tek lokacioni i parë janë arrestuar pesë të dyshuar, katër shtetas të Kosovës dhe një i Serbisë, të cilët i kanë zhvilluar aktivitetet e tyre kriminale në shpërndarjen e narkotikëve në nivel vendi – këtu janë konfiskuar gjysmë kilogrami drogë e llojit amfetaminë, 200 gramë marihuanë dhe gjësende të tjera.
Tek lokacioni i dytë policia ka arrestuar një person si dhe ka konfiskuar 500 gramë marihuanë dhe 6.17 gramë kokainë.






