Lokale - eSIMy

Nazim Feka është njëri nga disa punëtorët që janë larguan nga puna e KEDS. I njëjti po ankohet se pas 30 vjetësh është larguar nga marrëdhënia e punës pa ndonjë arsye.

Derisa Feka po mendon të ndjekë rrugën ligjore, nga KEDS janë arsyetuar se pranimet dhe largimet e punëtorëve është proces i zakonshëm.

Shërbeu për vite me radhë në Korporatën Energjetike të Kosovës. E më pas Nazim Feka u angazhua edhe në Kompaninë Kosovare për Distribuim dhe Furnizimi me Energji Elektrike (KEDS).

Por pas përvojës 30 vjeçare, ende pa arritur moshën e pensionimit, ai u njoftua papritur se është larguar nga puna, pa i dhënë ndonjë arsye.

E Feka, i cili ishte në pushim mjekësor kur e mori lajmin, thotë për T7 se ka filluar të ndjekë krejt rrugët ligjore.

Gjatë kësaj kohe ai po mbante pozitën e zyrtarit ligjor për transport. Ky vend pune u mbyll më 10 janar kur u bë riorganizimi në këtë kompani.

Ankesë fillimisht kishte dërguar në KEDS, por ata ia refuzuan si të pabazë.

Një tjetër ankesë ai e dorëzoi në Inspektoratin e Punës, të cilët deri në 6 muaj kanë të drejtë shqyrtimi. E, Kryeinspektori i punës, Valon Leci përmes telefonit, ka thënë se kanë shumë ankesa të punëtorëve dhe nuk mund të deklarohet në këtë fazë për këtë rast.

Mirëpo, në KEDS largimin e punëtorëve nga puna e shohin si proces të zakonshëm.

Në nenin 70 të Ligjit të Punës thuhet se punëdhënësi  mund ta ndërpresë kontratën e të punësuarit me një periudhë paralajmërimi. Por për këtë duhet të ketë arsye ekonomike, teknike ose organizative.