Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen gjithëditore që po e mban në Prevallë bashkë me kabinetin e tij ka thënë, se ende nuk janë bërë një muaj qeverisje, por janë bërë shumë punë nga ta.
Kurti ka publikuar fjalimin që e ka mbajtur para ministrave e ministreve të qeverisë së tij, në të cilin thuhet se në këto javë qeverisje kanë filluar me çkapjen e shtetit.
“Kemi filluar me çkapjen e shtetit nga shpëdorimi duke përmirsuar bordet e ndërmarrjeve publike në të cilat ka pasur keqpërdorime të parasë publike, por edhe të keqmenaxhimit duke shkaktuar humbje. Kemi reduktuar pushtetin dhe kemi ndalë shpenzimet që të kuptojmë se ku qëndrojmë, çka po shpenzojmë dhe, më e rëndësishmja, për çka po shpenzojmë”, është shprehur ai.
Kryeministri është zotuar për reduktim të shpenzimeve të panevojshme.
“Unë jam për të reduktuar e kursyer shpenzimet e panevojshme që nuk sjellin as rritje të mirqenies, e as nuk krijojnë vende të reja të punës, por jam për të rritur shpenzimet në investime të cilat janë mirë të planifikuara e të studiuara dhe që krijojnë vende të reja të punës në sektorë të qëndrueshëm. Këtë do ta bëjmë dhe këtë duhet ta bëjmë”, i ka thënë kabinetit të tij qeveritar.
Kurti mes tjerash ka bërë të ditur se tashmë e kanë edhe një draft të programit qeverisës i cili ka 41 faqe e që derivon nga marrëveshja jonë e koalicionit.
Ky program qeverisës pasqyron orientimet e përgjithshme të qeverisë, qasjen dhe parimet, prioritetet dhe iniciativat si dhe vendimet që do të merren për të përmirësuar gjendjen në vend në të gjitha fushat e përgjegjësisë.
Sipas tij, temat kryesore të programit janë janë: 1. Qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit, 2. Zhvillimi ekonomik, 3. Arsimi dhe shkenca, 4. Shëndetësia, 5. Politikat sociale, 6. Infrastruktura, 7. Mjedisi, energjia dhe minierat, 8. Kultura, rinia dhe sporti, 9. Mbrojtja dhe siguria, si dhe 10. Politika e jashtme, integrimi dhe mërgata.
Ekipi i KALLXO.com është në Prevallë dhe gjatë ditës do të raportojë për zhvillimet e fundit rreth këtij takimi.