Lokale - eSIMy

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka zhvilluar sot debat për dialogun Kosovë-Serbi, të organizuar me përfaqësues të partive parlamentare, mediave dhe shoqërisë civile.

Artan Abrashi, nga Vetëvendosje, ka thënë se ky subjekt është i gatshëm për dialog, por që duhet analizuar negociatat në çdo rrethanë, njofton Klan Kosova.

”Dialogu është në prag të rinisjes. Duhet të analizohet çdo rrethanë. Problemet e komplikuara nuk duhet të kenë zgjidhje të thjeshta. E çmojmë përfshirjen amerikane dhe këtë duhet ta shfrytëzojmë në të mirën tonë. Nuk duhet të ketë marrëveshje pa dialog, nuk bën të ketë harta. Partitë politike, pozitë dhe opozitë, duhet të jenë unike. Taksa do të hiqet atëherë kur krijohen kushtet për vendosje të reciprocitetit”.

Në këtë debat ishte pjesë edhe Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ndërsa ka komentuar efektet e tarifës ndaj mallrave serbe, njofton Klan Kosova.

”Taksa 100% ka qenë e dëmshme për Kosovën. Serbia humbi disa miliona, por ato para nuk i fitoi prodhuesi i Kosovës. Reciprociteti do të vendoset si përgjigje, jo si aksion agresiv. Dialogu do të planifikohet bashkë me opozitën”.

Ndërsa Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, është shprehur se nuk do të ndryshojnë qëndrim sa i përket çështjes së taksës.

”AAK gjithmonë do të qëndrojnë pro taksës dhe nuk heqin dorë nga ky pozicion. Hartat nga presidentët nuk preken më, sepse kjo tokë është mbrojtur me gjak. Territori nuk preket më”.

Lidhur me këtë, Haxhi Shala nga Nisma Socialdemokrate, ka vlerësuar se edhe vendosja e reciprocitetit do të bllokonte dialogun mes Kosovës e Serbisë.

”Taksa duhet të mbetet sepse edhe reciprociteti do të jetë përsëri bllokues për dialogun. Duhet të kemi një dokument të qartë, një platformë nga qeveria se çka do të bëjë me dialogun me Serbinë. Ne do ta shqyrtojmë atë platformë dhe varësisht nga interesi i shtetit do ta mbështesim ose do ta kundërshtojmë”.