Ushtari i zemëruar për shkak të një marrëveshjeje për pronën vrau 26 persona, shumica prej tyre në një qendër tregtare ku ai u fut pasi kishte vrarë komandantin e tij, kanë thënë zyrtarët tajlandezë. Të plagosur mbetën 57 persona.
Forcat e sigurisë qëlluan dhe vranë ushtarin e tërbuar të dielën në mëngjes në qendrën tregtare “Terminal 21” në verilindje të qytetit tajlandez Nakhon Ratchasima, raporton Reuters.
Ushtari ishte i armatosur me një armë zjarri dhe municion të vjedhur nga arsenali i bazës ushtarake, tha një zyrtar, transmeton Koha.net.
Fillimisht ai kishte postuar një mesazh me shkrim në Facebook gjatë sulmit para se llogaria e tij të bllokohej nga kompania.
Një person që ia doli të ikte nga qendra tregtare, i ka thënë televizionit lokal “Amarin TV” se personi i armatosur “po i synonte kokat” dhe tha se kolegu i tij vdiq në vend të ngjarjes.
Ai ishte përfshirë në një mosmarrëveshje rreth shitjes së një shtëpie me një të afërm të komandantit të tij, sipas kryeministrit tajlandez dhe policisë.






