Lokale - eSIMy

Organizata joqeveritare “Demokracia Fillon Këtu”, sot nëpërmjet një komunikate dërguar medieve, ka akuzuar drejtorin e Drejtorisë së Bujqësisë në Podujevës, Vezir Januzi, për ftesën publike për aplikim për serra, njofton Llapi.info.

Sipas komunikatës së kësaj organizate, kjo ftesë erdhi pikërisht në kohën kur komuna e Podujevës po hynë në fushatën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunës.

Lexo edhe: Koha e zgjedhjeve në Podujevë, DFK: Vezir Januzi nis fushatën duke keqpërdorur buxhetin publik

Sipas DFK-së, ky veprim nuk ka asnjë motiv tjetër përveç keqpërdorimit të buxhetit publik për qëllime të fushatës zgjedhore dhe se serrat, sipas komunikatës, nuk iu duhen në kohë dimri.

E në lidhje me këtë çështje ka reaguar edhe protagonisti kryesor, Vezir Januzi. Ky i fundit në vend që t’i reagojë kësaj organizate ka përmendur edhe portalin Llapi.info. Në fakt ky lajm më përpara ka dalë edhe në medie tjera, pasi që komunikata është dërguar për të gjitha.

“Reagim për komunikatën e Organizatës “Demokracia fillon këtu” dhe kolegët e portalit Llapi.info. Në lidhje me lajmin e botuar që Komuna e Podujevës ka hapur thirrje për aplikim në kohe fushate. Për hir të korrektesisë po e postoj thirrjen e vitit të kaluar e cila ne bazë të datave shihet se është bërë në janar të vitit 2019, pra në kohë përafërsisht të njejtë me thirrjen e këtij viti. Ju lutem mos e keqinformoni opinionin me lajme të rreme”, ka shkruar ai.

Editimi që ka bërë Januzi

Redaksia e portalit “Llapi.info” sqaron se reagimi i drejtorit të Drejtorisë së Bujqësisë në Podujevë, është adresuar gabimisht lidhur me komunikatën për medie të kësaj organizate.

Ritheksojmë se komunikata ka qenë e organizatës joqeveritare “Demokracia Fillon Këtu”, dhe se teksti i shkruar në të njëjtën nuk është qëndrim i portalit.

Andaj, kërkojmë nga z.Januzi që në raste të tjera, kur ai reagon ndaj deklaratave të dikujt, para se ta bëjë këtë ta kuptojë mirë se ndaj kujt po e vë gishtin. Ose të paktën të këshillohet me dikë që merr vesh nga informimi publik./Llapi.info