Kryetarja e re e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se LDK dhe VV e dinë se “unë kam bërë më së shumti dhe më së shumti kam insistuar për koalicion”.
Në ‘Rubikon’ të KTV’së ajo ka ka treguar pse kishte heshtur në periudhën kur bisedimet për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje mes Vetëvendosjes dhe LDK’së kishin ngecur.
Osmani tha se me qëllim nuk kishte reaguar që të “mos zgjeronte hendekun mes partnerëve potencialë”.
“Kam heshtur për shkak se kam dëshiruar që të bëhet koalicioni. Kur vërtetë e dëshiron dhe e beson që të arrihet një qëllim, e ndërkohë ke mospajtime me partnerin potencial, në momentin që del në publik dhe i thekson sinqerisht besoj se mund t’i thellojë plagët e të zgjerojë hendeqet mes nesh. Kam besuar se ishte gabim dhe kanë qenë deklaratat e kësaj periudhe që e bënë më të vështirë për ne që shkonim e negocionim”, ka thënë ajo në Rubikon.