Lokale - eSIMy

Partia Demokratike e Kosovës e cila në këtë mandat është pjesë e Kuvendit të Kosovës si subjekt opozitar, ka reaguar lidhur me veprimet e fundit të Kryeparlamentares Vjosa Osmani, e cila largoi nga zyra e saj, fotografinë e Presidentit Hashim Thaçi.

Duke qenë se Presidenti i Republikës përfaqëson autoritetin më të lartë të shtetit, dhe të gjitha institucionet obligohen me Ligj ta vendosin në mjediset e tyre zyrtare fotografinë e Presidentit, PDK thotë se veprimi i Osmanit është primitiv dhe përfaqëson mentalitet të vjetër..

”Zbatimi i ligjit nuk varet nga dëshirat e askujt pavarësisht bindjeve politike dhe këtë gjë ajo duhet ta dijë mirë si eksperte dhe ligjëruese e jurisprudencës. Me veprimin e saj primitiv, kryekuvendarja e zgjedhur në mënyrë të dyshimtë, Vjosa Osmani përfaqëson mentalitetin e vjetër që synon hakmarrjen dhe përçon gjuhën e urrejtjes dhe përcarjes së qytetarëve. Që në ditën e parë në pozitën e re, ajo po dëshmon se përfaqëson vetëm interesin e saj brenda partisë së vet dhe jo ti shërbej institucionit ku është zgjedhur.Me këtë veprim anti-ligjor ajo gjithashtu fyën rëndë edhe institucionin që drejton, Kuvendin e Kosovës, tempullin e demokracisë dhe ligjvënies në vendin tonë. Partia Demokratike e Kosovës ka dhënë shembull pas zgjedhjeve të 6 tetorit duke mbetur në opozitë dhe siguruar tranzicionin e pushtetit, por nuk do do të toleroj që të cënohet rendi kushtetues e ligjor dhe asnjë institucion i rëndësishëm i Kosovës. PDK-ja është poashtu duke shqyrtuar dhe analizuar anën legale të zgjedhjes së saj si kryetare natën e mbrëmshme. PDK bën thirrje që kthimi i fotografisë së Presidentit të ndodhë sa më parë. Administrata e Kuvendit të Kosovës të reagoj pa vonesë, në të kundërtën, fotografia e Presidentit do të rikthehet në pozitën e vet me çdo kusht, si ruajtje e karakterit kushtetues dhe sovranitetit të vendit”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Vjosa Osmani vendosi sot në zyrën e saj të Kuvendit të Kosovës fotografinë e Presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova duke e larguar atë të Presidentit Hashim Thaçi.