Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka thënë se partia e tij vazhdon të ketë vullnetin për një marrëveshje bashkëqeverisëse me Vetëvendosjen, njofton Llapi.info.
Në një intervistë për TV Llapin, Mustafa është shprehur optimist se marrëveshja mes LDK-së dhe VV-së do të arrihet para seancës së tre shkurtit, e cila është thirrur për t’u votuar formimi i qeverisë së re, sipas kërkesës së mandatarit për kryeministër, Albin Kurti.
“Me kërkesë të mandatarit për kryeministër, Albin Kurti, është ftuar edhe një seancë për tentuar të votohet qeveria. Kanë mbetur tri ditë deri në votim dhe negociatat janë duke vazhduar. Vullneti për një marrëveshje me LVV-në ende ekziston në LDK. Jemi shumë afër me kërkesat, nuk jemi larg me njëra-tjetrën. Kemi arritur shumicën e dallimeve t’i mënjanojmë. Nuk është se marrëveshja është shumë larg, kanë mbetur vetëm edhe disa hapa, por po e them që vullneti në LDK mbetet i pandryshuar për të arritur një marrëveshje për bashkëqeverisje me Vetëvendosjen”, ka thënë Mustafa, transmeton Llapi.info.
Zëdhënësi i LDK-së ka deklaruar se oferta e fundit drejtuar Vetëvendosjes ka qenë që të ketë një ndarje të barabartë në ekzekutiv, duke pasur kryetarin e Kuvendit derisa të zgjidhet presidenti.
“LDK-ja nuk do të ketë problem të votojë qeverinë e pakicës, mirëpo vetëm nën kushtin që të respektohen kornizat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka deklaruar ai.
Mustafa ka thënë se nuk ka arsye të mos ketë qeverisje brenda afatit të kushtetues./Llapi.info