Ambasada e Kosovës në Ottawa të Kanadasë, ka reaguar pas sulmit me armë në qendër të këtij qyteti. Përmes një postimi në Facebook, thuhet se nuk është raportuar të ketë kosovarë të përfshirë në këtë ngjarje
“Sot në orët e mëngjesit ka pasur të shtëna me armë në qendër të qytetit të Otavës, sipas informatave të fundit raportohet për një të vdekur, dhe tre të plagosur rëndë. Ambasada e Republikës së Kosovës në Ottawa, është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet këtu, dhe nuk raportohet se ka të përfshirë nga komuniteti ynë në këtë ngjarje të rëndë”, thuhet në njoftimin e ambasadës së Kosovës në Ottawa.
Po ashtu, kërkohet që të shmangen zonat të cilat mund të jenë të rrezikuara.
“Andaj, kërkohet që të shmangen zonat në qendër të Otavës, më saktësisht rruga Gilmour 400, rruga Lyon dhe Kent”, theksohet në njoftim.
Mëngjesin e së mërkurës, Policia e Ottawas dhe ekipet e emergjencës u thirrën në bllokun 400 të Rrugës Gilmour pasi u raportua për të shtëna aktive me ‘persona të shumtë’ të plagosur.
Një person ka vdekur dhe tre të tjerë janë plagosur pas disa të shtënave me armë që kanë ndodhur në një shtëpi në qytetin e Ottawas në Kanada.
Siç ka konfirmuar policia, incidenti ka ndodhur rreth orës 7 e 30 të mëngjesit, në afërsi të ndërtesës së Parlamentit të Kanadasë, shkruan NBC transmeton Gazeta Express.
Nga Policia është bërë thirrje që të shmangen lëvizjet në atë hapësirë derisa autori është në kërkim.






