Aaron Wilbraham, 40 vjeç, dëshmoi në “FA Cup”, të shtunën, se ende ka një vend për veteranët në futbollin e sotëm elitar. Zlatan Ibrahimovic bëri dje rikthimin e tij në futbollin europian me Milanin, në moshën 38-vjeçare. Këta të dy janë pjesë e një grupi të përzgjedhur të futbollistëve, që kanë qenë profesionistë aktivë gjatë katër dekadave të fundit; përkatësisht në vitet 1990, 2000, 2010 dhe 2020. Kjo nuk është një listë shteruese, shumica ende presin të bëjnë paraqitjen e tyre të parë të viteve 2020, për shkak të pushimeve të dimrit, por ne kemi identifikuar 10 lojtarë të katër dekadave.
Tifozët e futbollit aq shpesh iu kthehen kujtimeve të viteve ’90. Ishte një epokë, që filloi me një nga Botërorët më të shkëlqyer të të gjitha kohërave në Itali, i cili u mbizotërua nga legjendat si Paolo Maldini, Marco van Basten dhe Zinedine Zidane. Një gjeneratë ka ardhur dhe ka shkuar që prej asaj kohe, por në mënyrë të jashtëzakonshme, ka ende një numër të bashkëkohësve të tyre, që akoma luajnë.

Zlatan Ibrahimovic
Ibrahimovic është rikthyer në
Serie A në moshën 38 vjeç. Suedezi i ka bërë të gjitha në karrierën e
tij 21-vjeçare, përveç faktit të jashtëzakonshëm që, pavarësisht se ka
luajtur për gjashtë klube, nuk ka fituar dot Ligën e Kampionëve.
Fatkeqësisht, nuk ka gjasa ta ndryshojë këtë fat tani, pasi Milani
aktual nuk ka gjasa të rivalizojë në konkurrencën elitare të klubeve,
sezonin e ardhshëm.

Gianluigi Buffon
Ndërsa është mbresëlënës fakti
që Buffon është ende te Juventusi, pas një qëndrimi të shkurtër te PSG, e
vërteta e trishtuar është se ato doreza me të vërtetë duhen varur tani.
Kushdo që ka shikuar veteranin në dy sezonet e fundit, do të ketë qenë
dëshmitar i një varg gabimesh prej moshës i fituesit të Kupës së Botës,
shkruan Telesport.

Iker Casillas
Legjenda e Real Madridit ka qenë te
Porto që nga viti 2015 dhe është ende zyrtarisht në “librat” e klubit
portugez. Kjo, pavarësisht se pësoi një atak kardiak në maj, gjatë një
seance stërvitore, dhe përfundoi në spital. Pas kësaj, ai u detyrua të
mohojë raportet që kishin dale, se tërhiqej nga futbolli. Shpresat e tij
janë që të luajë përsëri me Porto.

Claudio Pizarro
Sulmuesi i Werder Bremen tani
është 41 vjeç dhe po luan sezonin e tij të 12-të radhazi në Bundesligë,
ligë ku ka kaluar pjesën dërrmuese të karrierës, pavarësisht fillimeve
në Peru dhe një qëndrimi të shkurtër te Chelsea.

Roque Santa Cruz
Nuk janë shumë lojtarë, që mund
të thonë se kanë luajtur për Real Madridin dhe Blackburn Rovers në
karrierën e tyre, një arritje mjaft e shkëlqyer. Sulmuesi në fjalë është
duke luajtur akoma për Olimpia, në Paraguajin e tij të lindjes.

Gareth Barry
Ish-ndërkombëtari i Anglisë është
padyshim në muzgun e karrierës së tij, por West Bromwich Albion ka
vendosur ta federojë përsëri, deri në fund të sezonit. Kontrata e tij
fillestare kishte skaduar gjatë verës dhe ai po stërvitej me klubin për
t’u rikuperuar nga një dëmtim.

Artur Boruc
Portieri polak është akoma te
Bournemouth, megjithëse i rëndojnë shumë këmbët tani. Karriera e Boruc
ka qenë disi e nënvlerësuar. Ai ka fituar nëntë trofe të mëdhenj, gjë që
shumë kolegë të tij nuk e arrijnë dot.

Shunsuke Nakamura
Duke folur për legjendat e
Celtic, nuk ka si injorohet Shunsuke Nakamura. Ky emër të sjell direkt
në mendje goditjen e tij ikonike kundër Manchester United në Ligën e
Kampionëve. Shumëkush mund të mos e dijë se ai luan akoma, tashmë me
Yokohama FC.

Maxi Rodriguez
Anësori ka kaluar tri periudha të
ndryshme në klubin e djalërisë, Newell’s Old Boys, megjithëse fitoi më
shumë vëmendje tek Espanyol, Atletico Madrid dhe më pas, Liverpool.
39-vjeçari është ende duke bërë një punë të mirë në Argjentinë, me
klubin e vendlindjes.

Aritz Aduriz
Aduriz me të vërtetë po luan në
dekadën e katërt dhe e priti sezonin e tij të 21-të me një fillim të
jashtëzakonshëm, kur shënoi golin e vetëm të ndeshjes hapëse të këtij
kampionati (La Liga). Ishte mahnitëse goditja me “gërshërë” e tij ndaj
Barcelonës, në fitoren 1-0.

Aron Wilbraham
Sulmuesi anglez, që po shkon drejt
të 41-tave, ka luajtur me shumë skuadra në vendin e tij. Aktualisht
vesh fanellën e Rochdale. Ai dëshmoi në “FA Cup”, të shtunën, se ende ka
një vend për veteranët në futbollin e sotëm elitar.






