Mes shumë qytetarëve që viteve të fundit lëshuan Kosovën në kërkim të një jete më të mirë në vendet e Evropës, është edhe një numër i mjekëve.
Oda e Mjekëve të Kosovës ka lëshuar dokumente për 215 mjekë të cilët e kanë kërkuar që të punojnë jashtë Kosovës, mirëpo nga kjo odë, theksojnë se nuk kanë të dhëna të sakta se sa prej tyre kanë arritur të dalin jashtë vendit.
Ligji i ri për Paga është suspenduar nga Gjykata Kushtetuese, deri në fund të marsit, pas dhjetëra ankesave për pabarazi ndërmjet kategorive në nivel vendi dhe pagat nuk janë marrë me rritje nga dhjetori i 2019-s, ashtu siç ishte premtuar, raporton KTV.
Kjo ka shkaktuar edhe më shumë pakënaqësi te mjekët. Sipas kryetarit të Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu, kushtet jo të mira të punës, mundësitë e pakta për specializime vetëm sa kanë ndikuar në rritjen e tendencës për largimin e mjekëve.
Ndërsa, në Shërbimin Klinik Universitar të Kosovës vlerësojnë se motivimi i mjekëve përmes rritjes së pagave është e vetmja mënyrë për të ndalur emigrimin e tyre.
Largimi i elitave, në këtë rast i mjekëve, sipas sociologëve, lë pasoja në zhvillimin e shoqërisë.
“Nëse flasim për pasojat, kjo natyrisht se lë pasoja në emancipimin e përgjithshëm shoqëror, zhvillohet më ngadalë një shoqëri së cilës i ikën truri, pra ka pasoja që vështirë rikuperohen për kohë të shkurtër”, ka thënë sociologu Artan Krasniqi.
Sipas të dhënave të OMK-së, aktualisht afër 600 mjekë janë të papunë, ku prej tyre mbi 60 janë specializantë.