Sergio Ramos ka ngritur pyetje përse VAR-i nuk u përdor në dy raste, për të cilat ai thotë se Real Madridit iu mohuan dy penallti kundër Barcelonës në El Clasicon pa gola të mërkurën në La Liga.
Kapiteni i Real Madridit beson se bashkëlojtari i tij Raphael Varane u pengua dy herë në zonën e Barçës në Camp Nou, transmeton Gazeta Express.
Në pjesën e parë, Varane u godit me take nga bashkatdhetari i vet Clement Lenglet e cili e kishte ngritur këmbën lart dhe pastaj u tërhoq për fanelle nga Ivan Rakitic duke u shtyrë për një korner.
Gjyqtari i takimi Jose Hernandez Hernandez nuk dha penallti në asnjërin prej këtyre dy incidenteve, por as VAR-i nuk ndërhyu për t’i rishikuar rastet.
Ramos ka mbetur i habitur përse të paktën VAR-i nuk ndërhyu, pasi i kishte parë incidentet në përsëritje pas pjesës së parë.
“I pashë ato (incidentet) në pushimin mes pjesëve dhe ishin (penallti) të qarta. Të dyja ishin penallti, por nuk mund ta ndryshojmë këtë tani”, tha Ramos.
“VAR-i është këtu për të ndihmuar. Ishte fat i keq. Herën tjetër, do të jetë radha jonë që VAR-i të mos ndërhyjë”, shtoi ai.






