Një shofer i rrezikshëm që u kap duke vozitur mbi 220 km/h në anën e kundërt të autostradës kërceu në pjesën e pasme të veturës dhe tha se nuk ishte duke e vozitur makinën kur u kap nga policia.
Policia në Britani e kishte vënë re të dyshuarin, David Brennan, 23 vjeç, që po voziste shpejt me një veturë që dyshohej se ishte e vjedhur, më 18 shtator. Me të parë se po e ndiqte policia, ai përshpejtoi edhe më shumë. Ai nisi të vozite rrezikshëm, e dikur edhe ndryshoi kahun e rrugës duke dalë në anë të kundërt të vozitjes për t’iu shmangur kapjes.
Megjithatë, policët ia dolën ta ndalnin atë duke u ndeshur qëllimshëm me të – strategji kjo e njohur si ‘kontakt taktik’. Brennani më pas kërceu nga ulësja e shoferit në pjesën e prapme të veturës – por nuk mundi t’i mashtronte policët, të cilët kishin kapur çdo lëvizje të tijën në kamerë.
Ai u dënua me burgim prej 18 muajsh më 31 tetor pasi pranoi ngasjen e rrezikshme dhe ngasjen me leje të suspenduar. Atij i është ndaluar vozitja për tri vjet.

