Pas publikimit të raportit zviceran mbi vdekjen e aktivistit të VV-së, Astrit Dehari, familja e të ndjerit ka folur rreth kësaj ngjarje në T7.
Në këtë intervistë, përmes një linje telefonike morri pjesë edhe publicisti, Bardhyl Mahmuti, i cili tha se përkthimi i raportit nga gjuha frënge në atë shqipe është skandaloz.
Ai ka thënë se në përkthim po mundohen të zbuten faktet dhe të fshehët krimi.
“Duhet të përmendet se i pranishëm ka qenë edhe një person i tretë, thuhet në raport. Është përkthyer se mund të merret parasysh se ekziston mundësia që të jetë i pranishëm edhe një person i tretë. Kjo ndryshon gjithçka”, ka thënë Mahmuti.
“Pastaj në gjuhën frënge thuhet qartë se prej analizave ekziston edhe ADN e huaj. Në përkthim thuhet se ADN e huaj mund të ekzistoj. Kjo është bërë në mënyrë që të fshihet krimi më i madh i pasluftës. Këtu kemi të bëjmë me të dhëna shumë të rëndësishme. Duke thënë objektivisht se personi i tretë është i pranishëm raporti e vërteton këtë. Të thuash që ka pasur pak ose aspak ADN është e pavërtetë. Kjo vërteton se ekspertët neutral kanë bërë një hetim të shkëlqyer”, shton ai.






