Lokale - eSIMy

Ish-ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, e ministri në detyrë i këtij dikasteri Abelard Tahiri ende nuk e kanë thënë asnjë fjalë pas ekspertizës për rastin e Astrit Deharit që sot iu dorëzua familjes, shkruan Gazeta Express.

Në kohën kur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren kishte vdekur Astrit Dehari, aktivist i Vetëvendosjes, Ministria e Drejtësisë po drejtohej nga Dhurata Hoxha.

Organet e drejtësisë tre vite më parë kishin ardhur në përfundime të gabuara për vdekjen e Deharit derisa nga Gjykata, Prokuroria e Policia e Kosovës ishin dhënë deklarata kontradiktore për atë se çka kishte ndodhur brenda qelisë ku u gjet i vdekur Astrit Dehari.

Për vdekjen e tij MD-ja kishte njoftuar se Astrit Dehari ishte gjetur i vdekur pas orës 17:00, ani pse ngjarja kishte ndodhur orë më përpara, e kjo shihet edhe në pamjet e burgut që ishin publikuara në media.

Deklarata e parë e dhënë pas vdekjes ishte se Dehari kishte përdorur medikamente për të vrarë vetën, e kishte vdekur rrugës për në spital. Deklarata tjetër nga organet e hetuesisë në Prizren që ishte edhe përfundimtare nga ana e autoriteteve kosovare, ishte se i njëjti kishte vdekur si pasojë e problemeve me frymëmarrje ose asfiksisë.

Ministria e Drejtësisë e udhëhequr nga Dhurata Hoxha kishte marrë vetëm një vendim për këtë temë, kishte suspenduar katër zyrtarë të burgut. Hoxha thoshte se para marrjes së raporteve zyrtare nga institucionet përkatëse është në dëm të qytetarëve që të jepen deklarime.

“Çdo deklarim para marrjes së raporteve zyrtare nga institucionet përkatëse, është në dëm të procesit dhe në dëm të zbardhjes së të vërtetës. Me këtë rast ju bëj thirrje të gjithëve që të përmbahen nga deklarimet që paragjykojnë rezultatin e hetimeve. Ju premtoj se do të vazhdoj të ofroj dhe të kërkoj transparencë në çdo hap të zbardhjes së këtij rasti, por edhe ju lus që të mos nxitohemi me deklarime dhe të gjykojmë para se institucionet e vendit tonë të bëjnë punën e tyre”, kishte thënë e ajo, ani pse ajo pak më vonë do të kërkonte që të zgjerohen hetimet e të përfshihen në to edhe ekspertët që i kishte kërkuar familja dhe avokati mbrojtës i familjes Dehari, Tomë Gashi.

Familja Dehari dhe Lëvizja Vetëvendosje që nga vdekja e Deharit kishin kërkuar që për këtë të jap përgjegjësi, Hoxha, e që e njëjta të shkarkohet. Sot kur raporti i Zvicrës iu është dorëzuar familjes, babai i Astrit Deharit, Avni Dehari ka thënë se përgjegjës për vdekjen e Astritit është vetë ish-ministrja.

“Unë shfrytëzoj rastin si prind që ta falënderoj avokatin që ta zbardhë të vërtetën si rast. I falënderoj ekspertët që nuk u janë nënshtruar trysnive politike për ta dhënë një raport. Dua ta përmend se në rastin e Astrit Deharit që e kanë vrarë në burgun e Prizrenit, përgjegjës janë përveç Sylë Hoxhës së bashku me kompaninë e tij e ministren Dhurata Hoxha”, ka deklaruar Avni Dehari.

Pavarësisht këtyre deklaratave, Hoxha ka qenë e paqasshme sot gjatë ditës, ani pse është kontaktuar disa herë nga Gazeta Express përmes telefonit e mesazheve.

Njëjtë heshtjen e ka zgjedhur edhe ministri në detyrë i Drejtësisë Abelard Tahiri. Edhe ai nuk është përgjigjur në thirrjet e gazetës.

Kujtojmë që në tetorin e vitit të kaluar Qeveria e Kosovës pas kërkesës së familjes ka ndarë mjetet financiare në shumën prej 50 mijë eurove për ekspertizë shtesë jashtë vendit në lidhje me vdekjen e Astrit Deharit.

Aktivisti i Vetëvendosjes Astrit Dehari vdiq më 5 nëntor të vitit 2016 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Raporti i Institutit të Mjekësisë Ligjore rreth shkaqeve të vdekjes së Astrit Deharit më 18 nëntor 2016 nxori se Dehari ka bërë vetëvrasje, por rezultatet e këtij raporti nuk u pranuan nga prindërit e të ndjerit.