Po vazhdojnë polemikat për mbylljen e 19 shkollave në Kamenicë, një vendim të tillë po vazhdon ta kundërshtojë Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), ndërsa po vazhdon të përkrahet nga Ministria e Arsimit.
Sërish gjatë ditë së diele, ministri në detyrë i arsimit, Shyqiri Bytyqi ka deklaruar se vazhdon ta përkrahë idenë e kryetarit të Kamenicës, Qëndron Kastrati për mbylljen e 19 shkollave.
Ndërsa kreu i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj edhe një herë ka theksuar se kjo sindikatë nuk do ta përkrahë këtë vendim.
Ai në një përgjigje për lajmi.net, ka thënë se nuk kanë pritur më shumë nga ministri aktual i arsimit, Shyqiri Bytyqi, pasi tani ai i takon edhe partisë, e cila udhëheq me Kamenicën, duke shtuar se ai do të duhej të vepronte si ministër.
Jasharaj ka thënë se kanë biseduar me MASHT-in për të anuluar këtë vendim, por jo edhe direkt me Bytyqin, pasi siç tha ai, për shkak të raporteve të ftohta që kanë pasur kohën e fundit me të.
“SBASH-ku në nivel qendrorë ka përkrahur angazhimin e kolegeve tanë në Kamenicë dhe jemi deklaruar publikisht se jemi kundër mbylljes së shkollave, jemi takuar me kryetarin e Kamenicës Z. Kastratin dhe e kemi lutur që ai të mos veprojë së paku këtë vit, në mënyrë që me zgjedhjen e udhëheqjeve të institucioneve të reja të Kosovës, çështja e zvogëlimit të vazhdueshëm të numrit nxënësve nëpër shkolla të debatohet në nivel qendror dhe të behët një platformë më afatgjate, kryetari i Kamenicës nuk ka dëgjuar për këtë, ne pastaj ne i kemi kërkuar nga MASHT-i që të angazhohet. Konkretisht SBASHK-u ka biseduar me drejtorin e departamentit të arsimit parauniversitar, Alush Istogun, ngase me ministrin nuk kemi biseduar coftë për shkak se kemi pasur një ftohje pa fajin tonë të relacioneve, qoftë së ai në fillim në emër të MASHT-it është deklaruar pro mbylljes së shkollave, nuk kemi pritur diçka tjetër nga ai. Ai kohën e fundit ka deklaruar edhe publikisht ka dal edhe është bërë pjesë e subjektit politikë nga vjen edhe vet Qëndron Kastrati. Edhe nuk na habit ky deklarim i tij, por Shyqiri Bytytqi duhet ende të njihet si ministër dhe nuk është lehtë të thuhet që një ministër është pro mbylljes së shkollave se paku pa u ditë detajet se si do të behët, çfarë do të behët me nxënësit që do të udhëtojnë me kilometra, cfarë do të bëhet me koleget tanë me të punësuarit atje që janë me vite dmth janë në pyetje që këtu duhet dhënë përgjigje institucionet”, ka deklaruar Jasharaj.
Jasharaj po ashtu ka thënë se SBASHK-u do të veprojë konformë vendimeve të mësimdhënësve në Kamenicë.
Në anën tjetër, kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati ka thënë për lajmi.net se mësimdhënësit në përgjithësi janë duke e respektuar vendimi e kësaj komune.
Ai ka thënë se janë edhe një pjesë e prindërve që nuk i kanë dërguar fëmijët.
“Informata ime e fundit është se mësimdhënësit në përgjithësi thuajse të gjithë janë duke e respektuar vendimin tonë, është një pjesë e prindërve që ende nuk i kanë pruar nxënësit. Për çdo ditë në total është ka 5, 6 nxënës të rijnë vijnë edhe bashkohen. D.m.th është duke u diskutuar edhe me sindikatën edhe me mësimdhënës me u mundu që sa më shpejtë me përfund. Mbështetjen e MASHT-it e kemi marr edhe para disa muajve edhe tash”, ka thënë Kastrati.