Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë ka mbajtur një konferencë për medie për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit.

Shefja e vëzhgimit të zgjedhjeve në Kosovë, Viola von Cramon-Taubadel, ka thënë se personat nga komuniteti serb në Kosovë, kanë kohë të mjaftueshme për t’u pajisur me dokumente identifikuese në mënyrë që të votojnë, njofton Klan Kosova.

“Duhet të sigurohemi që të gjithë votuesit të mund t’i ushtrojnë në tërësi të drejtat e tyre demokratike. Aktorët politikë kanë përgjegjësinë që të përmbahet nga gjuha inflamantore gjatë fushatave”.

“Ligji tashmë ekziston që nga viti 2017 dhe nuk ka ndryshuar. Ligji ka qenë pakëz i paqartë dhe tani e kemi vendimin nga Gjykata Supreme – ata kanë konfirmuar që të gjithë votuesit duhet t’i kenë dokumentet identifikuese në mënyrë që të votojnë”.

“Nëse ka ankesa ne do t’i marrim parasysh ato dhe do t’i raportojmë. Mirëpo pasi që vendimi i KQZ-së është marrë me 9 shtator, nga ajo që kemi dëgjuar, ka kohë të mjaftueshme për të parashtruar kërkesë për t’u pajisur me dokumente identifikuese brenda një muaji”.

“Por, ne duhet të vëzhgojmë dhe të shohim nëse këto probleme ekzistojnë dhe nëse ekzistojnë, pse ekzistojnë”.

“E di që kemi një periudhë të shkurtër për fushatë, për mua tani është tepër herët që të komentoj për këtë gjë. Të gjitha komentet dhe informacionet që i marrim, do t’i përfshijmë në raport. E di në vitin 2017 ka qenë një rekomandim për ta zgjatur kohën e fushatës”.

“Dëshira ime është që në Kosovë të shohim një proces zgjedhor transparent sepse nevojitet besim në institucione. Përveç kësaj, do të doja që të kemi një pjesëmarrje të madhe të qytetarëve. Ata duhet të jenë të bindur se vota e tyre do të llogaritet dhe do të shkojë për kandidatin që e dëshirojnë”.