Gati tri orë ka zgjatur mbledhja e thirrur nga kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa në selinë qendrore të kësaj partie.
Në këtë mbledhje të pranishëm ishin kryesia e partisë, derisa, e njejta u mbajt dy ditë para kuvendit zgjedhorë e që do të mbahet të shtunën.
Para mediave, pas përfundimit të mbledhjes ka folur zëdhënësi i kësaj partie Besian Mustafa. I njejti ka shtuar se kanë diskutuar për kuvendin zgjedhorë të 3 gushtit.
“Mbledhjen e sotme kryesia e LDK-së diskutoi lidhur me përgatitjet e Kuvendit zgjedhorë me 3 gusht, pra këtë të shtunë. Kryesia vlerësoi se përgatitjet po shkojnë shumë mirë dhe se kuvendi do të zhvilloi punimet në atmosferë soleme qysh kemi lajmëruar edhe më parë. Duke mbështetur në statutin e LDK-së dhe për garantuar mbarëvajtjen e këtij kuvendi zgjedhorë kryesia ka vendosur që t’i propozojë kuvendit anëtarët e komisionit statutar, komisionit verifikues, kandidues, komisionit zgjedhorë si dhe kryesisë së punës”, tha ai, derisa ka shtuar se është diskutuar edhe për kandidatura, e se janë vlerësuar lartë ata pretendime për kandidatura të personave që kanë kontribuar në LDK për 30 vitet e fundit.
“Po ashtu u diskutua edhe çështja e kandidaturave kryesia vlerësoi lartë interesimin dhe pretendimin për të kandiduar nga disa kolegë në kryesi me kontribute të larta në LDK në këto 30 vitet e fundit. Kryesia si e gjithë anëtarësia e LDK vlerëson se është shumë e rëndësishme që në krye të LDK-së të jetë një figurë përbashkuese që po punohet intenzivisht”, tha Mustafa.
Zëdhënësi i LDK-së nuk e ka sqaruar nëse është vendosur që Isa Mustafa të vazhdojë edhe për katër vite në pozitën e kryetarit, ashtu siç kanë raportuar media të afërta me partinë./Express