Lokale - eSIMy

Revista franceze L’Equipe raporton se përderisa Paris Gaint-Germaini nuk do t’ia ulë çmimin Neymarit, klubi francez është i gatshëm ta huazojë brazilianin për sezonin e ardhshëm, me detyrim për ta blerë atë gjatë verës së vitit 2020.

Spekulimet për të ardhmen e Neymarit nuk kanë të ndalur. Mediat franceze janë të sigurta se braziliani nuk do ta vazhdojë karrierën e tij në Paris dhe PSG-ja dëshiron që çfarëdo marrëveshje të kompletohet para 10 gushtit, transmeton Gazeta Express.

Përkundër që gjiganti francez është i gatshëm ta shesë Neymarin, presidenti Nasser Al-Khelaifi nuk do ta pranojë asnjë ofertë nën 300 milionë euro, e jo 180 milionë euro siç është raportuar nga disa media të tjera.

L’Equipe shkruan se PSG-ja nuk do ta lejojë Neymarin të largohet për më pak para për shkak të krenarisë. “Askush nuk e detyroi Neymarin të transferohet në PSG”, kishte thënë Al-Khelaifi në një intervistë të dhënë para disa ditësh.

PSG-ja do të preferonte ta dërgonte Neymarin në cilindo ekip tjetër para Barcelonës, mirëpo katalonasit janë të vetmit që kanë bërë ofertë për brazilianin. Deri më tani, pengesa kryesore e Barcelonës ka qenë çmimi që PSG-ja e kërkonte për brazilianin.

Neymari e ka bërë të qartë se dëshiron të largohet nga PSG-ja këtë verë dhe destinacioni i tij i preferuar do të ishte Barcelona, nga ku u largua para dy vjetëve për 222 milionë euro, duke u bërë futbollisti më i shtrenjtë në histori të këtij sporti.

Edhe Barcelona dëshiron ta kthejë Neymarin në “Camp Nou” për sezonin tjetër, mirëpo një gjë e tillë nuk do të jetë kaq e lehtë. Marrëdhënia e keqe mes PSG-së dhe klubit katalonas bën që francezët të mos dëshirojnë të negociojnë dhe të preferojnë ta shesin brazilianin kudo tjetër para se t’ia japin “Blaugranëve”.

Përderisa Neymari dhe Barcelona mund të pajtohen për kontratën personale, ata do ta kenë më të vështirë të arrijnë marrëveshje me klubin francez, që nuk dëshiron të pranojë asnjë ofertë përveç 300 milionë euro e më shumë.

Një shumë të tillë nuk mund ta përballojnë katalonasit, të cilët këtë verë shpenzuan shumë para për ta transferuar një yll tjetër, Antoine Griezmannin, nga Atletico Madridi. Nëse ata e blejnë Neymarin për 300 milionë euro, mund të përballen me dënime nga UEFA e FIFA.

Për të mos rrezikuar përjashtimin nga garat evropiane apo dënimin me mostransferim të futbollistëve të tjerë për disa afate kalimtare, Barcelona ka preferuar t’i bëjë ofertë PSG-së me shkëmbin të lojtarëve.

Oferta e fundit e Barcelonës ishte 100 milionë euro dhe dy lojtarë të ekipit të parë në shkëmbim për Neymarin. Megjithatë, kjo ofertë u refuzua menjëherë nga PSG-ja, që nuk është e gatshme të negociojë.