Janë bërë të gjitha përgatitjet për mbajtën e Kuvendit të nëntë zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili do të mbahet këtë të shtunë, me 3 gusht.
Zëdhënësi i LDK-së, Besjan Mustafa, duke mos dashur të përmendë ndonjë emër për kandidatë, tha se në Kuvend kanë të drejtë 355 delegatë të propozojnë emra për kryetar të LDK-së.
Lidhja Demokratike e Kosovës në fund të kësaj jave përmbyll procesin e brendshëm zgjedhor, kur do të zgjidhet edhe i pari i partisë.
Besjan Mustafa, zëdhënës i LDK-së, i tha Radio Kosovës se janë bërë të gjitha përgatitjet për Kuvendin e nëntë zgjedhor, i cili fillon të shtunën me 3 gusht, në ora 10. Megjithëkëtë, Mustafa nuk ka përmendur emrat e kandidatëve për pozitën e kryetarit, pasi statuti i LDK-së shpalosjen e kandidatëve e parasheh ditën e Kuvendit:
“Konform statutit të LDK –së të gjitha kandidaturat për kryetar të LDK-së shpalosen, apo shpallën në Kuvendin zgjedhor me 3 gusht. Aty marrin pjesë 355 delegatë të deleguar me votë, nga 38 degët e LDK-së anembanë Kosovës dhe konform statutit të gjithë këta 355 delegatë kanë të drejtë të nominohen apo të nominojnë dikë për kryetar, pra, nuk përjashtohet asnjë kandidaturë me 3 gusht.
Gjithsesi emrat e përfolur për kreun e LDK-së janë kryetari i deritanishëm, Isa Mustafa, Lutfi Haziri, Vjosa Osmani, Agim Veliu, Arban Abrashi, Kujtim Shala por edhe kryetari Fatmir Sejdiu. Secila kandidaturë duhet të miratohet me 50 për qind plus 1 të delegatëve të pranishëm. Kryetari i LDK-së njëkohësisht është kryetar i Kuvendit, i Këshillit të Përgjithshëm dhe i Kryesisë së LDK-së.