Ish-kandidati për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka komentuar përleshjet e brendshme fizike brenda LDK-së dhe ka thënë se po shihet qartë se aty ka pasur të përfshirë persona të partive tjera.
Ai ka thënë se në mbledhjen e thirrur nga Kryesia e LDK-së, është diskutuar për zhvillimet e fundit ku kanë rënë në përfundim se duhet trajtuar parregullsitë, transmeton Klan Kosova.
“E keni parë edhe ju në media se aty kanë qenë të përfshirë disa persona të partive tjera. E keni parë edhe vet një person me karrige që si duket është i një partie tjetër. Po flasim për rastin e Matit, atë e pash sot në media, ishte identifikuar me fotografi e emër dhe s’kam çfarë të them më shumë”.
“Sot biseduam në përgjithësi për zhvillime, procese dhe për rastin e djeshëm. Biseduam se duhet t’i trajtojmë me më shumë maturi këto çështje. Duhet të ketë më shumë ndërhyrje të kryesisë në mënyrë që të ecim tutje”.
“Ka problem edhe me anëtarë të partive të tjera që po ndërhyjnë për shkak të mungesës së listës së anëtarësisë. Këto janë gjëra që rregullohen”.
“Është tragjike ajo çfarë ka ndodhur dje, por po shihet që janë edhe të tjerët të interesuar që ta dëmtojnë LDK-në. Sot e keni parë në media personin me emër dhe mbiemër i cili mbante karrigen në dorë”.
“Nuk besoj që është dikush kundër meje. Më shumë ka njerëz që dëshirojnë me u kyç në këtë proces të zgjedhjeve të brendshme që është i mirë për demokracinë. Unë çdoherë kam me qenë zëri i arsyes dhe do t’i ndihmojë të rinjtë që të anëtarësohen”.
Ndërsa më herët Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar duke thënë se “Personi i përmendur si i implikuar në Kuvendin Zgjedhor të Degës së LDK-së në Mat, nuk është anëtar i AAK-së”.