Lokale - eSIMy

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Rashit Qalaj, gjatë qëndrimit të tij në Washington D.C. SHBA, ka realizuar disa takime zyrtare me agjencione të ndryshme të zbatimit të ligjit.

Takimet zyrtare të drejtorit Qalaj së bashku me stafin e tij, përfshirë drejtorin e Departamentit të Hetimeve Riza Shillova, drejtorin e Departamentit të Burimeve Njerëzore Taibe Canolli, drejtorin e Divizionit Kundër Krimit të Organizuar Florie Hajra, zyrtarin ndërlidhës të Policisë së Kosovës në Washington kapiten Lulzim Krasniqi, kanë pasur për qëllim rritjen e bashkëpunimit në mes të Policisë së Kosovës dhe institucioneve gjegjëse në SHBA.

“Me datën 10.06.2019 në Washington DC janë realizuar tri takime mjaft të rëndësishme, duke filluar takimin e parë me drejtorin e Interpol Washington Wayne Salzgaber dhe zëvendësdrejtorin Michael A. Hughes, ku është diskutuar për mënyrën e bashkëpunimit dhe nevojës për mbështetjen e SHBA-së në procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizatën e INTERPOL-it”, theksohet në komunikatën e Policisë së Kosovës

Agjenda e delegacionit kosovar ka vazhduar me takimin e dytë në State Departament, më konkretisht në Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Zbatim të Ligjit (INL), i realizuar me Jorgan Andrews zëvendës asistent sekretar për Evropë, ku në këtë takim është diskutuar për bashkëpunimin e ndërsjellë si dhe mbështetjen e deritanishme për Policinë e Kosovës si dhe për projekte të ndryshme në të ardhmen.

I pari i PK-së falënderoi zyrtarët e INL-it për mbështetjen dhe i siguroi ata se Policia e Kosovës do të mbetet një partner i rëndësishëm në fushën e zbatimit të ligjit. Përveç tjerash në kuadër të këtij takimi u diskutuan shumë projekte të ndryshme, të cilat do të ndihmojnë PK-në në procesin e reformimit të saj, me qëllim të ngritjes së efikasitetit dhe efektivitetit policor.