Kryetrajneri i klubit Llapi, Tahir Batatina ka bërë të ditur se së shpejti do të fillojnë zyrtarizimet për edicionin e ri në elitën e futbollit kosovar, njofton Llapi.info
Tekniku llapjan ka konfirmuar datën 3 qershor për fillimin e nënshkrimeve të reja, duke paralajmëruar ardhje dhe rinovime.
“Së bashku me Kryetarin e klubit u dakorduam që nga data 03/06/2019 të fillojmë me zyrtarizimet e transfereve të reja dhe vazhdimin e kontratave të lojtarëve që dëshirojnë ti qëndrojnë besnik klubit dhe qytetit të Podujevës”, ka shkruar në Facebook Batatina.
Edhe këtë vit Podujeva nuk u kurorëzua me titull edhe pse Llapi ishte kandidat potencial, teksa synim të njëjtë klubi nga Podujeva do ta ketë edhe edicionin e ri. Kështu ka bërë të ditur sërish trajneri i bardhë e kaltërve.
“Prapë do jemi skuadër që do luftojmë për trofe sepse këtë e meriton qyteti i futbollit, Podujeva”, ka deklaruar Batatina.
Ekipi llapjan deri më tani ka zyrtarizuar ardhjen e sulmuesit prizrenas Blendi Memaj, teksa edhe shumë ‘firma’ të tjera janë në pritje./Llapi.info






