Lokale - eSIMy

Erolind Krasniqi do të jetë përforcimi i radhës i Kosovës U-21. Talenti i Hamburgut ka aplikuar për shtetësi kosovare dhe pritet të jetë në dispozicion të përzgjedhësit Rafet Prekazi për ndeshjen e shtatorit ndaj Anglisë

Kosova U-21 është duke e bërë ndërrimin e gjeneratës, pas paraqitjeve mbresëlënëse që i pati në kualifikime, që prej pranimit të Kosovës në UEFA e FIFA.

Arton Zekaj nuk është futbollisti i vetëm që pritet t’ju bashkohet “Dardanëve të rinj”.

Në fakt, Gazeta Express mëson se ekipit të Rafet Prekazit pritet t’i bashkohet edhe futbollisti i ri i Hamburgut, Erolind Krasniqi.

Mesfushori ofanziv i ka nisur procedurat për ta marrë nënshtetësinë e Kosovës dhe pritet të jetë i gatshëm për Verdhekaltrit në shtator, pasi për ndeshjet e qershorit është shumë herët për t’u kompletuar dokumentacioni.

“Erolindi ka aplikuar sot për shtetësi të Kosovës. Tash i është lejuar nga komuna e Hamburgut dhe Gjermania që t’i ketë dy shtetësi. Po mundohemi që ta kompletojmë dokumentacionin, në mënyrë që ta kemi gati për ndeshjet e ardhshme, duke filluar nga shtatori. Për ndeshjet e qershorit është e pamundur”, thotë për Express menaxheri i Përfaqësueses U-21 të Kosovës, Zgjim Sojeva.

Kosova do të luajë me Andorrën dhe Turqinë në muajin qershor, ku megjithatë Krasniqi nuk do të mund të jetë në dispozicion, ndërsa ai pritet t’i bashkohet Kosovës U-21 që nga ndeshja e shtatorit me Anglinë.

Krasniqi, i lindur më 15 mars të vitit 2000, i gjatë 1,80 metra, ka kontratë me Hamburgun deri më 30 qershor të vitit 2019.

Nuk dihet ende nëse do ta vazhdojë kontratën me këtë klub apo do të transferohet diku tjetër.

Nëse nuk e vazhdon kontratën, ka gjasa që Krasniqi të transferohet në ndonjë klub tjetër gjerman ose në Holandë, pasi ofertat nuk po i mungojnë.