Lokale - eSIMy

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, bashkë me Ambasadorin e Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj, gjatë ditë së sotme janë takuar me drejtorin për Ballkan në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Christian Hellbach.

Këtë lajm e bëri të ditur Limaj me anë të një shkrimi në rrjetin social Facebook.

Limaj tha se aty biseduan për tema të rëndësishme për Kosovën siç është liberalizimi i vizave, dialogu Kosovë- Serbi dhe thellimi i bashkëpunimit mes dy vendeve tona.

“Kosova çmon dhe vlerëson lart rolin e Gjermanisë për peshën dhe rëndësinë që i ka dhënë procesit të dialogut”.

“Kosova është me fat që ka një vend mik siç është Gjermania, roli i së cilës është jetik si në procesin e dialogut ashtu edhe në liberalizimin e vizave”.

“Në të gjitha takimet që kam pasur gjatë vizitës në Berlin, morëm mesazhet e qarta se Gjermania është e përkushtuar ta avancojë dialogun dhe t’i ndihmojë Kosovës që ta marrë sa më parë liberalizimin e vizave”, ka shkruar Limaj.