Arton Curri, 39-vjeçar, u gjet i vdekur mëngjesin e djeshëm në arat e fshatit Vitomiricë të Pejës. Ai dyshohet se u godit nga një veturë, shoferi i së cilës ka ikur nga vendi i ngjarjes. Për këtë rast Prokuroria e Pejës ka ndaluar një person të dyshuar, ndaj tij është kërkuar paraburgim. Me vdekjen e Currit, numri i viktimave në komunikacion brenda këtij viti ka shkuar në 27. Numri i të lënduarve është rreth 2 mijë persona. Ndërsa brenda këtyre tre muajve ndodhën rreth 3 mijë aksidente, raporton Gazeta Express.
Aksidentet me fatalitet kanë shënuar rritje në vendin tonë. Në tre muajt e parë të këtij viti (janar-mars 2019) janë 7 persona më shumë që e kanë humbur jetën në komunikacion sesa në periudhën e njëjtë kohore të vitit 2018.
“7 persona më shumë kanë vdekur si pasojë e aksidenteve në rrugë gjatë periudhës së njëjtë tremujore”, tha zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, të dielën për Gazetën Express.
Pra, gjatë muajve janar-mars 2019 në komunikacion kanë vdekur 24 persona, ndërsa në periudhën e njëjtë të vitit 2018 kanë vdekur 17 persona, apo 7 më shumë këtë vit.
Por, numri i të vdekurve në aksidente këtë vit nga 24 është shtuar në 27. Një aksident me të vdekur ka ndodhur të shtunën në Vitomiricë. Më shumë rreth këtij rasti KËTU.
Të premten në rajonin e Gjakovës në një aksident trafiku kanë humbur jetën dy persona meshkuj, shtetas të Shqipërisë, ndërsa lëndime trupore kanë marrë edhe gjashtë të tjerë.
Po ashtu, për tre muaj në Kosovë kanë ndodhur 1032 aksidente me persona të lënduar. Lëndime kanë pësuar gjithsej 1945 persona apo 716 persona më pak sesa në tremujorin e vitit 2018, kur lëndime kanë pësuar 2661 qytetarë.
“Aksidentet në përgjithësi kanë shënuar rënie, përveç atyre me fatalitet, ku statistikat shënojnë rritje”, tha Hoxha.
Për këtë tremujor kanë ndodhur 1897 aksidente me dëme materiale e për kundërvajtësit e trafikut policia ka shqiptuar mbi njëqind mijë gjoba.
“Total tiketa të shqiptuara për tre muaj në Kosovë janë 101115 tiketa”, thuhet në statistikat e Policisë së Kosovës, dhënë Gazetës Express.
E në këtë situatë, kur rrugët e Kosovës gati çdo ditë po lahen nga gjaku i qytetarëve, policia po vazhdon me aktivitete që e kanë për qëllim ngritjen e vazhdueshme të sigurisë në trafikun rrugor si dhe uljen e aksidenteve.
“Njësitë policore, përveç pikave të kontrollit të automjeteve apo patrullimeve në lëvizje, janë duke u përqendruar në identifikimin dhe ndëshkimin e kundërvajtësve, të cilët e rrezikojnë sigurinë në trafikun rrugor”, tha më tutje Hoxha.
Policia vazhdimisht po apelon që pjesëmarrësit në trafik të bëjnë kujdes, posaçërisht drejtuesit e automjeteve, në mënyrë që të shmangen aksidentet fatale.
Po ashtu, Policia e Kosovës po aplikon masa rigoroze ndëshkuese ndaj të gjithë shkelësve të ligjit të trafikut, me të vetmin qëllim për ngritjen e nivelit të sigurisë në trafik dhe parandalimin e aksidenteve rrugore në përgjithësi.






