Lokale - eSIMy

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka bërë një bilanc të asaj që ndodh në skenën politike në Serbi, në raport me Kosovën.

Ka thënë se atje, “pushtet, shtet e opozitë, në një mendje e një zë – çnjerëzorë”. Kësisoj, Abdixhiku ka kritikuar edhe Evropën.

“Evropa asnjë reagim. Serbisë i hapë edhe një kapitull të ri. E quan rrugën e saj përparim. Liderët e tillë i quan evropianë. Kosovën vazhdon ta mbajë si vendin e vetëm në rajon pa liberalizim”, ka thënë Abdixhiku.

“Presidenti i Kosovës, ndërsa i prinë thirrjeve nëpër botë për ‘pajtim’. Thotë se duhet lënë vet me Aleksandrin sepse ‘s’janë problematikë’. Në OKB, Ministri i Jashtëm i joni thotë se me serbët, shqiptarët, s’kishin asnjëherë dhe s’kanë asnjë konflikt”, ka thënë Abdixhiku.

“20 vjet pas luftës, kush do ta kishte menduar një përfundim të tillë. Veç një klasë inkompetente, që as nuk din e as nuk mundet, e sjellë vendin në një gjendje të tillë”, ka shtuar më tej.

Ky është postimi i plotë nga Abdixhiku:

Kështu,

  • Presidenti i Serbisë e quan Millosheviqin lider të madh nga i cili inspirohen edhe sot të gjithë në Serbi.
  • Kryeministrja serbe thotë se në Kosovë e Bosnje s’kishte gjenocid, meqë “ishin vrarë vetëm meshkujt e jo të gjithë”.
  • Ministri i Punëve të Jashtme serb mohon Reçakun; vendin ku u masakruan civilët shqiptarë; pamje që u panë botërisht. Thotë se ishte inskenim.
  • Ministri i Punëve të Brendshme pret me ceremoni shtetërore ushtarakët e dënuar në Hagë për krime kundër njerëzimit në Kosovë. I quan heronj.
  • Opozita serbe djegë flamuj Kosove, NATO e Evrope; fishkëllen zyrtarë ndërkombëtarë e proteston kundër integrimit evropian.

Pushtet, shtet e opozitë, në një mendje e një zë – çnjerëzorë. E Evropa? Evropa asnjë reagim. Serbisë i hapë edhe një kapitull të ri. E quan rrugën e saj përparim. Liderët e tillë i quan evropianë. Kosovën vazhdon ta mbajë si vendin e vetëm në rajon pa liberalizim.

Presidenti i Kosovës, ndërsa i prinë thirrjeve nëpër botë për “pajtim”. Thotë se duhet lënë vet me Aleksandrin sepse “s’janë problematik”. Në OKB, Ministri i Jashtëm i joni thotë se me serbët, shqiptarët, s’kishin asnjëherë dhe s’kanë asnjë konflikt.

20 vjet pas lufte, kush do ta kishte menduar një përfundim të tillë. Veç një klasë inkompetente, që as nuk din e as nuk mundet, e sjellë vendin në një gjendje të tillë.