Liderët e Kosovës dhe të Serbisë më 29 prill të këtij viti do të takohen në Berlin me ftesë të Gjermanisë dhe Francës.
Ky takim është konfirmuar sot nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili tha se është ftuar në Berlin bashkë me kryeministren serbe, Ana Bërnabiç dhe aty janë ftuar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj.
Por, ky takim mes liderëve kosovarë dhe atyre serbë do të jetë i pari që nga vjeshta e vitit 2018 kur Qeveria e Kosovës vendosi taksën 100% ndaj produkteve serbe dhe atyre boshnjake.
Këto ftesa nga dy superfuqi evropiane po shihen si pozitive për Kosovën, kjo pasi siç shprehen analistët politik, edhe mund të bëhet definimi i çështjes së bisedimeve mes Kosovës e Serbisë.
Madje për analistin politik, Valon Syla taksa 100% dhe ideja e korrigjimit të kufirit janë dy temat kryesore për të cilat Gjermania edhe po dëshiron ta shkrijë akullin mes këtyre dy vendeve.“Gjermania është duke dashur të bëhet pjesë e rëndësishme e influencës diplomatike duke dashur të shkrijë akullin midis Kosovës dhe Serbisë, pas vendosjes së taksës 100% që ndërpreu bisedimet. Korrigjimi i Kufirit nuk është ide e vdekur përderisa sponzorët e Pavarësisë, nuk kanë vija të kuqe kundër një skenari të tillë. Diplomacitë botërore e kanë kuptuar se shqiptaret dhe serbët janë faktorë stabiliteti në rajon… dhe jo kroatët, sllovenët, maqedonët apo boshnjakët. Po ashtu janë popull shumicë në numër dhe po shihen si partnerë strategjik”, tha ai për Gazetën Blic.
Kurse analisti tjetër, Arton Demhasaj tha se e gjithë kjo situatë është pozitive, të paktën për Kosovën. Vlerëson se duke pasur parasysh qëndrimin e Gjermanisë ndaj kufijve, këtu mund të jetë edhe fundi i kësaj çështjeje.“Dihet që ai Samit ka lidhje me Ballkanin, kështu që mendoj që është pozitive të paktën për Kosovën duke pasur parasysh çasjen që ka Gjermania ndaj ruajtjes së integritetit territorial të Kosovës dhe mendoj që aty edhe mund të diskutohet kjo çështje. Gjermania është kundër ndryshimit të kufijve ndërsa aty mundet me qenë edhe fundi i kësaj ideje ku përfundimisht mund të mbyllet edhe çështja se nuk mundet me pas ndryshim të kufijve por mund të kërkohet diçka tjetër për marrëveshjen finale“, tha Demhasaj.
Por edhe përkundër kësaj, Syla vlerëson se korrigjimi i kufirit mund të jetë edhe si skenar i cili mund të zgjedh përgjithmonë problemin serbo- shqiptar. E gjithë kjo, thotë ai, për arsye se kjo ide po shihet me simpati edhe nga shtete mike të Kosovës.“Korrigjimi i kufirit synon si skenar të rregullojë njëherë e përgjithmonë problemin serbo-shqiptar që të mund të vazhdohet tutje. Kjo ide po shihet me simpati dhe si zgjidhje në Bruksel (Mogherini) Washington (Administrata Trump) Moskë nga Putini si dhe në qarqe me influencë në Prishtinë, Beograd dhe Tiranë. Edhe Shkupi zyrtar me Zaevin edhe Bosnja e Hercegovina e kanë komentuar korrigjimin e kufirit si ide e mundshme për zgjidhje finale që nuk i pengon këto shtete në asnjë mënyrë“, përfundoi ai.Ndryse, më 29 prill të këtij viti në Gjermani do të mbahet Samitit të Berlinit apo i njohur ndryshe si Samiti i Liderëve të Ballkanit Perëndimor. Aty, përveç liderëve të Kosovës dhe Serbisë do të marrin pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjës, Deniz Zvizdiq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq dhe kryeministri slloven, Marjan Shareq.






