Lokale - eSIMy

Raportimet për ikjen e vazhdueshme të popullatës së Kosovës, drejt vendeve evropiane, ka bërë që deputetë të opozitës dhe disa deputetë të tjerë të partive në pushtet, të kërkojnë seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit.

Inicues i kësaj seance është deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fidan Rekaliu, të cilën e kanë mbështetur 41 deputetë me pikën e vetme të rendit të ditës: Debat parlamentar lidhur me zbrazjen e vendit nga të rinjtë, si rreziku më i madh që i kanoset vendit nga paslufta.

“Vlerësojmë se është e nevojshme që Kuvendi i Kosovës të shpreh qëndrimin lidhur me këtë situate, e cila sa vjen e po rëndohet. Bazuar në ato që u thane më lartë si dhe duke pasur parasysh rëndësinë dhe urgjencën e kësaj çështjeje, kërkojmë që Kuvendi i Kosovës të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme në datën e cekur më lartë në fillim të kësaj kërkese”, thuhet në kërkesën e Rekaliut drejtuar kryesisë së Kuvendit.

Pas debatit Kuvendit të Kosovës do t’i propozohet miratimi i një rezolute e cila duhet të prodhojë zgjidhje lidhur me parandalimin e ikjes së të rinjve nga vendi”, thuhet në kërkesë.

Seanca është kërkuar të mbahet nesër duke filluar nga ora 10:00.