Komisioni për Legjislacion ka diskutuar për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në Kosovë përmes shoqërisë civile aktive.
Arjana Qosaj Mustafa, nga KIPRED, tha se nga raporti që kanë punuar me GLPS dhe Artpolis është vërejtur jo seriozitet i institucioneve të drejtësisë për t’i trajtuar rastet e dhunës fizike dhe seksuale.
“Është vërejtur se policia, gjyqtarët, prokurorët kanë ende nevojë për trajnime. Ideja e konventës së Stambollit është të ketë fokus të veçantë në diskriminimin gjinor që ndodhë. Kur kemi të bëjmë me raste e dhunës në familje nuk ekzistojnë procedura e standarde. Ne insistojmë me këtë raport por edhe me statusit e konventës së Stambollit që të ketë më shumë ndjekje penale”.
Kryetarja e komisionit, Albulena Haxhiu tha se duhet të ketë bashkëpunim më të madh për këtë çështje.
“Kohët e fundit kam parë një joseriozitet më të shtuar të institucioneve. Duhet një bashkëpunim i Kuvendit dhe shoqësisë civile për të zgjidhur problemet e adresuara sot”.
Kurse deputeti i Nismës, Bilall Sherifi tha se nuk po bëhet mjaftueshëm as në sistemin e edukimit.
“Nuk jemi duke bërë mjaftueshëm edhe në sistemin e edukimit sepse dhuna ndalet që në gjenezë. Unë nuk shoh në literaturë dicka të tillë që sensibilizojë fëmijën që secilën grua duhet ta trajtojë si nënën e vet”.
Deputeti nga radhët e VV-së, Sami Kurteshi tha se është absurde që gruaja viktimë nxirret nga shtëpia ndërsa dhunuesi lihet aty.
Ai tha se çdo kontakt me policinë duhet të jetë i protokolluar, për çka shtoi se një gjë e tillë nuk ndodh në Policinë e Kosovës, raporton EO.
“Absurde është që nxirret gruaja me fëmijë nga shtëpia e dërgohet në strehimore kurse dhunuesi rri aty, shlirë. Çdo kontakt me policinë duhet të jetë i regjistruar dhe i protokolluar. Në Policinë e Kosovës kjo nuk bëhet shprehimisht dhe qëllimisht, fshihen veprat e krimit”.
Hajdar Beqa nga PDK-ja u shpreh i pasigurt për votimin e konventës së Stambollit në seancë pasi tha se mungesa e Listës Serbe çon në mosvotim të saj.
“Sa i përket konventës së Stambollit ai tha se mund të jetë problem votimi i saj në seancë për shkak të listës serbe, pasi për votimin e saj duhen 2/3 e votave”.






