Lojërat e Fatit është tema që ka bërë bujë ditëve të fundit në Kosovë. Pas rasteve të vrasjes së dy të rinjve që ndodhën njëra në Suharekë e tjetra në Lipjan, pikërisht në lokale të Lojërave të Fatit, Qeveria e Kosovës ka marrë vendimin që të shfuqizojë Ligjin i cili u lejon këtyre lojërave të kryejnë veprimtarinë e tyre në vend. Por, me mbylljen e këtyre lojërave, nënkuptohet se do të mbyllen edhe të gjitha bastoret që janë në vendin tonë, e që janë 23 subjekte me 306 njësi, shkruan Gazeta Express
Qytetarët të cilët gjejnë argëtimin dhe njëkohësisht fitojnë para nëpër Lojëra të Fatit, shumë shpejtë nuk do të kenë mundësi ta bëjnë këtë. Kjo pasi Qeveria e Kosovës do të shfuqizojë Ligjin i cili i lejon këto lojëra të kryejnë veprimtarinë e tyre në vend.
Me kërkesë të Grupit Parlamentar të LDK’së, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar pro rezolutës për Pezullimin e aktivitetit të kazinove dhe lojërave të fatit dhe plotësim ndryshimi i ligjit përkatës.
Ndërkaq edhe Qeveria e Kosovës ka kërkuar një seancë të jashtëzakonshme për Lojërat e Fatit.
Zyra e kryeministrit ka thënë për Gazetën Express e ka konfirmuar faktin që Haradinaj ka kërkuar seancë të jashtëzakonshme për datën 3 prill, ku tema e vetme do të jetë Projektligji i ndalimi të lojërave të fatit.
Në Projektligjin për ndalimin e Lojërave të Fatit, thuhet se do të mbyllen të gjitha këto lojëra, përveç Lotarisë së Kosovës.
“Me këtë Ligj ndalohen të gjitha lojërat e fatit me përjashtim të Lotarisë së Kosovës. Me këtë Ligj shfuqizohet Ligji nr. 04/L-080 për Lojërat e Fatit dhe aktet nënligjore që janë nxjerrë për zbatimin e tij, me përjashtim të dispozitave që ndërlidhen me nenin një (1) të këtij Ligji”, theksohet në Projektligj.
Ndërkaq ky Ligj do të hyjë në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në “Gazetën Zyrtare” të Republikës së Kosovës.
E kjo nënkupton se me mbylljen e Lojërave të Fatit, do të mbyllen edhe pikat e basteve sportive, apo siç njihen ndryshe “Bastoret” dhe Lokalet me Aparate, të cilat janë të shumta në Kosovë.
Në Agjencinë Tatimore të Kosovës, në Veprimtarinë e Lojërave të Fatit janë të regjistruara 46 subjekte, prej të cilave 23 janë me veprimtari për baste, 17 me veprimtari Automate dhe 6 me veprimtari Bingo.
“Numri i Bizneseve të Licencuara në Veprimtarinë e lojërave të fatit është gjithsej 46 subjekte: 23 me veprimtari baste, 17 me veprimtari Automate dhe 6 me veprimtari Bingo. Kazino nuk ka të licencuar. Në veprimtarinë me baste janë gjithsej 306 njësi të Basteve/lokaleve. Në veprimtarinë Automate janë gjithsej 133 lokale. Në veprimtari me Bingo janë 6 lokale”, ka thënë për Express Valentina Bytyqi-Sefa, Zëdhënëse e ATK’së.
Ndërkaq Bytyqi-Sefa ka bërë të ditur se disa subjekteve iu ka skaduar licenca, por për shkak të zhvillimeve të fundit- për mbyllje përmes ligjit, ATK’ja nuk është duke ua vazhduar licencat.
Mbyllja e Lojërave të fatit, përveç deputetëve është pritur mirë nga disa por edhe është kundërshtuar.. Por, ka edhe të tillë që thonë se kjo do të rrisë numrin e papunësisë, pasi të shumtë janë personat që punojnë nëpër lokale të lojërave të tilla.
E për gjithë këtë iniciativë të deputetëve dhe Qeverisë, shkaktare ishte vrasja e dy të rinjve në lokale të Lojërave të Fatit.
Jetmir Aljiaj u qëllua për vdekje të dielën e 17 marsit në një lokal të Lojërave të Fatit në Suharekë. E njëjtë si Jetmiri, u vra edhe Florent Ahmetaj. Ai u gjet i vdekur në vendin e tij të punës, në një lokal të Lojërave të Fatit në Lipjan.
Vrasja e të rinjve shtyu edhe kryetarin e Komunës së Suharekës, Bali Muharremajn, që të nis procedurat e nënshkrimit të një peticioni për mbylljen e Lojërave të Fatit. Ky peticion u nënshkrua nga 11 mijë qytetarë dhe u dërgua të hënën në Kuvendin e Kosovës.






