Përfaqësuesja e Kosovës me grupmoshën U-21 ka mposhtur Maltën në ndeshjen e dytë miqësore në Antalya me rezultat minimal 1-0. Golin e vetëm në këtë përballje e realizoi dimanti i Llapit, Valmir Veliu,
Veliu, u inkuadrua nga stoli për të realizuar në minutën e 87-të të ndeshjes dhe për t’i dhënë një fitore me vlera reprezentacionit që po drejtohet me shumë sukses nga trajneri mitrovicas Rafet Prekazi.
18-vjeçari ka shpërblyer besimin e Prekazit duke e dërguar topin në rrjetën e shumë kërkuar në duel me maltezët, teksa i ka dhënë zemër “Dardanëve” të rinj para ndeshjeve të ciklit të ri kualifikues që do të fillojnë në muajin qershor.
Sulmuesi i krahut ka treguar formë fantastike me Llapin këtë sezonë, sidomos në stinorin pranveror duke lënë në stol shumë emra të njohur.
Ai është përfshirë në katër golat e Llapit këtë pranverë, teksa ka shërbyer me një gol dhe një asistim në 288 minutat e luajtura.
Sikurse për Llapin, po ashtu edhe për reprezentacionin U21 të Kosovës ai llogaritet si një diamant i çmuar me një të ardhme të ndritur dhe shumë larg prej kampionatit kosovar, shkruan Gazeta Sheshi.
Ditë më parë edhe trajneri i Llapit, Tahir Batatina kishte deklaruar se Veliu ka potencial të luaj në ndonjë kampionat më të fortë në Evropë.






