Zyrtarë serbë kurrë s’i përmendin krimet që vetë i kanë bërë ndaj të tjerëve e edhe ndaj shqiptarëve, i përmendin vetëm “krimet” që të tjerët i kanë bërë ndaj serbëve.
Në këtë kontekst, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që dikur ishte përkrahës i madh i të gjitha luftërave që Serbia i shkaktoi dhe i zhvilloi nëpër ish-Jugosllavi, sot në konferencën “20 vjet nga bombardimi i Jugosllavisë – mësimet për sigurinë evropiane në shekullin 21”, ka shqiptuar fjalë të rënda kundër NATO-s.
“Agresioni i NATO-s ka qenë krim i madh ndaj një shteti të vogël e sovran, por populli serb, 20 vjet pas tij ka mbetur i papërkulur”, ka thënë ai, përcjell agjencia serbe e lajmeve tanjug.
Natyrisht Vuçiqi s’i ka përmendur krimet që ka bërë Serbia gjatë kësaj kohe në Kosovë.
Sipas tij, ky “agresion nuk ka sjellë paqe në Kosovë, as shoqëri që bazohet në demokraci dhe kështu as stabilitet afatgjatë”, ndërsa ka porositur se “pa bisedime me Serbinë shqiptarët e Kosovës nuk mund të arrijnë, ama, asnjë gjë”.
“Bombat kanë ndryshuar gjendjen në Kosovë vetëm në kuptimin se pushteti real është te forca e NATO-s, i cili siguron që shqiptarët në Prishtinë administrativisht ta udhëheqin Kosovën, porse ato nuk e kanë eliminuar konfliktin shekullor ndërmjet serbëve e shqiptarëve, dhe as që është krijuar sistemi me të cilin sigurohet paqja afatgjate”, ka thënë Vuçiq.
Ai në vazhdim ka theksuar se Serbia është shtet ushtarakisht neutral ndërsa ka bërë me dije se më 24 mars nuk do të ketë paradë ushtarake të vendit të tij./Koha.net






