Lionel Messi luajti të dielën në mbrëmje ndeshjen numër 674 në karrierë për Barcelonën, duke barazuar legjendarin Andres Iniesta dhe duke shënjestruar tashmë një tjetër ish-shok skuadre, Xavin, i cili ka luajtur 767 ndeshje me fanellën blaugrana.
Kundër Betisit ishte një tjetër spektakël personal i Pleshtit, i cili shënoi 3 gola dhe praktikisht i ka dhënë titullin Barcelonës.
Argjentinasi shënoi një gol të parë normal, më pas me goditje dënimi shënoi një gol të mrekullueshëm dhe në minutën e 84-t mahniti të gjithë, sepse shënoi një ndër golat më të bukur në karrierë, transmeton telesport.
Reagimi i stadiumit Benito Villamarín ishte spektakolar: rreth 60 mijë tifozët të pranishëm, të gjithë në këmbë për të duartrokitur një ndër më të mëdhenjtë të futbollit.
Thirrjet “Messi, Messi…!” ushtonin në stadium, ndërsa pas ndeshjes ylli i Barcelonës nuk e fshehu që kishte mbetur i impresionuar: “Të jem i sinqertë, nuk e mbaj mend të më ketë ndodhur diçka e tillë në karrierë. U jam mirënjohës të gjithëve, ishte vërtet emocionuese dhe befasuese. Sa herë luajmë në këtë stadium, na trajtojnë shumë mirë”.






