Një komunikatë që Llapi e lëshoi dje, pas derbit të fituar ndaj Prishtinës, e ka eskaluar situatën në IPKO Superligën e Kosovës në futboll dhe në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK).
Llapi e akuzoi FFK-në se, para derbit të së shtunës, ia ka dhënë Prishtinës 38 mijë euro premi për ta mposhtur ekipin nga Podujeva, gjë që nuk ndodhi në fushën e blertë, shkruan Gazeta Express.
Mirëpo, sot, FFK-ja i mohoi këto akuza.
Sidoqoftë, përkundër sqarimit të ofruar nga FFK, menjëherë ka ardhur edhe reagimi tjetër, nga Drenasi. Klubi Feronikeli e sulmoi FFK-në se po tenton ta fundosë klubin drenicas, duke e quajtur FFK-në Federatë të Futbollit të Prishtinës, apo FFP.
Siç dihet, Feronikeli, Prishtina dhe Llapi janë në luftë të madhe për titullin e kampionit. Por, sa janë të sakta këto akuza ndaj FFK-së, të cilat federata i mohon, e të cilat tashmë po i pretendojnë klubet e tjera?!
Akuzat dolën nga Llapi dhe për të marrë më gjerësisht sqarime, Gazeta Express e ka kontaktuar drejtorin e klubit nga Podujeva, Tahir Batatina.
Batatina tha se informatat që FFK-ja ia ka dhënë 38 mijë euro premi Prishtinës, klubi llapjan i ka marrë nga disa zyrtarë të Prishtinës.
“Informatat i kemi marrë nga disa zyrtare të Prishtinës. Ato nuk i kanë marrë personalisht unë, por kanë ardhur deri te ne”, ka deklaruar Batatina për Gazetën Express.
“Ne nuk do të ndërmarrin asnjë veprim tjetër pas këtyre akuzave. Do ta presim raportin e plotë për të parë se a janë këto të vërteta apo jo”, shtoi drejtori i Llapit.
Mbetet të shihet se si do të përfundojnë kjo telenovelë, kur dihet se lufta për titullin e kampionit dhe për mbijetesë po bëhet gjithmonë e më e zjarrtë.






