Në një fshat të harruar të Vitisë, tash e 18 vjet banon një familje në kushte të rënda ekonomike. Shtëpia në të cilën banon familja pesë anëtarëshe e Fikri Jasharit është pronë e Kishës dhe buzë rrënimit. Por, shumë shpejt ata do të mbeten edhe pa këtë shtëpi. Atyre u është kërkuar që deri në maj ta lirojnë objektin. Express ka qëndruar gjatë ditës në Letnicë, dhe ju sjell rrëfimin e familjes Jashari
Para 18 viteve, gjithë familjet që banonin në fshatin Shoshar kishin vendosur të iknin prej aty në kërkim të një jete më të mirë. Në vend të këtij fshati, kishin zgjedhur që pjesën e mbetur të jetës ta kalonin në fshatin ngjitur me të, më afër qytetit.
Por, me t’u zhvendosur në Letnicë, gjendja e tyre ishte rënduar edhe më shumë.
Pothuajse të gjitha familjet që jetojnë në këtë fshat, përballen me varfëri të skajshme tash e sa vite.
Shumica e shtëpive janë të dëmtuara nga themeli e pa kushte elementare për jetesë. Madje, po t’i shohësh nga larg, vështirë është të besosh se në ato shtëpi banon ndonjë familje.
Një prej familjeve që banon në një shtëpi të tillë, është edhe ajo e Fikri Jasharit.

Pesë anëtarët e kësaj familjeje për më shumë se 10 vite jetojnë në kushte shumë të rënda ekonomike. Asnjë prej anëtarëve të kësaj familjeje nuk punon, derisa thonë se mbesin gjallë vetëm nga ndihmat që u japin banorët e fshatrave të tjera.
Ekipi i Gazetës Express ka qëndruar sot gjatë ditës në familjen Jashari në Letnicë. Banorët kanë treguar për kushtet në të cilat jetojnë.
Kryefamiljari Fikret Jashari tregon se mezi arrin që ta ushqejë familjen. Në këtë shtëpi, që është pronë e Kishës, ai tregon se banon qe 10 vjet, kur edhe ishte zhvendosur nga fshati Shoshar.

Për gjithë këto vite, Fikriu thotë se ka mbetur gjallë vetëm nga ndihmat e të tjerëve. Pavarësisht gjendjes së rëndë ekonomike, ata nuk marrin as social.
“Qe 18 vite banoj këtu. Jemi pesë anëtarë këtu. Banoj me gruan nënën dhe dy fëmijët. Shtëpia nuk është e imja, por Kisha na ka dhanë sa me nejt një kohë. Nuk punoj kërkund, e as s’marr social. S’ka punë as sen. Me zor po e shtyjmë, e me ndihma çka na dhajnë të tjerët po jetojmë qe sa vjet”, rrëfen Fikriu për Express.
Por, tash ai ka edhe një hall më të madh. Atij i është kërkuar që deri në maj ta lëshojë shtëpinë ku banon me familjen. I mërzitur, thotë se nuk ka as nga t’ia mbajë kur ta largojnë nga shtëpia.
“Veç deri në Shën Gjergj na kanë thanë se mundemi me nejt këtu, e me lëshu shpinë qatherë. Nuk e di ku shkojmë tybe. S’kam ku e çoj familjen kur t’na largojnë, hiç sdi çka bëj”, tregon 43 vjeçari.

Edhe gruaja e Fikriut thotë se nuk është e lehtë që të rrisësh fëmijët në një shtëpi buzë rrënimit, e në të tilla kushte. Ajo tregon se nuk kanë as ujë brenda shtëpisë.
“Kushtet i kemi të randa. As s’kemi ujë mrena as sen. Krejt prej jashtit po duhet me i marr, edhe në të ftohtit ma të madh. Veç me ndihma çka po mundemi me mbet gjallë. Në Shoshar jemi kanë ma herët, po erdhëm këtu edhe ma keq”, tregon ajo.
Ata të zhgënyer thonë se janë harruar nga shteti. Gjatë këtyre viteve, tregojnë se askush nuk ka shkuar deri në fshatin ku banojnë për të parë kushtet në të cilat jeton ai dhe familjet e tjera.
“Askush s’na ka vizitu kurrë. Qe 10 vjet kërkush s’ka ardh me na vizitu, as komunë e as kërkush. Na kanë harru”, thonë ata për Express.

E në kushte hiç më të mira se Fikriu nuk banojnë as vëllezërit e tij.
Ekipi i Gazetës Express ka qëndruar edhe në shtëpinë e tyre për të parë nga afër kushtet në të cilat jetojnë, por ata nuk kanë dashur të flasin.
Vetëm kanë treguar se edhe ata përballen me varfëri dhe se çdo ditë shpresojnë se do të vijë dikush t’i ndihmojë.

Ndryshe, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës 17.6 për qind e kosovarëve jetojnë në varfëri me nga 1.82 euro në ditë, ndërsa 5.2 për qind në varfëri ekstreme me nga 1.30 euro në ditë.
Sipas raportit të ASK’së, vetëm gjatë vitit 2017, përfitues të pensioneve nga skemat sociale kanë qenë 26 mijë e 117 persona nga e gjithë Kosova, për të cilët janë shpenzuar rreth 28 milionë euro.






