Aleanca Kosovare e Bizneseve publikoi hulumtimin “Kosto e Punës 2018”, i realizuar për herë të dytë në mbështetje të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë.
Hulumtimi është realizuar në 830 ndërmarrjet që kanë mbi 10 të punësuar e që kanë 39 mijë e 92 punëtorë në 26 komuna të Kosovës, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, tha se synim kryesor i hulumtimi ka qenë që të ofrojë informacione për koston e plotë të fuqisë punëtore sipas aktiviteteve ekonomike në tërë regjionet e Kosovës, transmeton Koha.net.
“Hulumtimi i kostos së punës, (Labour cost survey-LCS), mat nivelin dhe strukturën e kostove të punës ose shpenzimet e përgjithshme që mbulohen nga punëdhënësit me qëllim të punësimit të stafit/punonjësve”, tha Shahini.
Sipas tij, “kostoja e punës mesatare në Kosovë ka dalë të jetë 505 euro dhe kjo është pagë e kushtueshme për të gjithë punëdhënësit e që punëmarrësit ankohen për paga të ulëta. Paga s’është ajo çka e merr dhe e cila ka kontributin e vet, vendin e punës mirëmbajtjen dhe gjithë teknologjinë që një punëtor e ka për të realizuar vendin e punës”.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, tha se ky hulumtim rreth nevojave të punës është e nevojshme për të gjithë sektorët dhe gjetjet e tilla do të hyjnë në punë.
“Këto të dhëna do të na ndihmojnë që në të ardhmen planifikimet për vendin e punës të jenë më të qarta. Realisht në tjetrën anë ne ballafaqohemi me kërkesa që janë të arsyeshme në nivelin e vendit dhe natyrisht këtu vihen në pyetje shpenzimet qoftë në sektorin publik apo edhe atë privat dhe duhet të bëjnë për të krijuar një vend pune”, tha Reçica.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, shtoi se ky është hulumtimi i dytë sa i përket fuqisë punëtore. Pres që këto rezultate të na shërbejnë në praktikë për krijimin e vendit të punës. Dua të sigurojë që si qeveri jemi të përkushtuar jo vetëm sivjet, por edhe në vitet e ardhshme të punojmë për ekonomi.
Përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së Alesandra Rocasalvo, tha se përmes këtyre të dhënave ata që dëshirojnë të investojnë në Kosovë, do ta kenë shumë më të lehtë.
“Jemi të angazhuar kohë të gjatë në Kosovë e pse jemi të angazhuar me Aleancën e Bizneseve është se kemi nevojë për të dhëna. Kostoja e pagës është shumë e rëndësishme. Kam marrë cv shumë të mira nga të diplomuarit, kemi nevojë për të gjitha sektorët, është përgjegjësi e secilit që ta bëjë një vend ekonomik ta rrisë prodhimin”, tha përfaqësuesja e UNDP-së.
Ajo shtoi se Kosova po rritet, po besoj që rritja është provë e natyrshme, askush nuk mund t’i ndihmojë as BE-ja as Amerika dhe as vendet e tjera më shumë se Kosova vetës në ngritje. Rritja ekonomike nuk është e mjaftueshme duke parë rininë e Kosovës që ka shumë të diplomuar.
“Ne kemi marrë shumë të dhëna nëse dikush dëshiron të investojë përmes të dhënave e dinë se sa kushton”, tha Alesandra Rocasalvo.






