Lokale - eSIMy

Policia e Kosovës ka arrestuar të dyshuarin kryesor në lidhje me vrasjen e djeshme të ndodhur në Prishtinë.

Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë së Kosovës, ka konfirmuar për Koha.net se i dyshuari B.Sh., 26 vjeç, është duke u intervistuar.

“Për momentin është duke u intervistuar i dyshuari kryesor për vrasjen e cila ka ndodhur gjatë ditës së djeshme”, ka thënë Ahmeti.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes një njoftimi dërguar mediave, dje dha detaje në lidhje me rastin.

Sipas Prokurorisë, viktima me inicialet A.J., është plagosur nga një person, derisa po qarkullonte me veturën e tij, mirëpo i njëjti nuk u ka mbijetuar plagëve të shkaktuara nga arma e zjarrit, me ç’rast ka ndërruar jetë.

Me të ndodhur rasti, Prokuroria tha se njësitet policore kanë informuar prokurorin kujdestar, i cili ka dalë në vendin e ngjarjes. Sipas provave të para të siguruara nga vendi i ngjarjes, është identifikuar vetura dhe pronari i saj, nga e cila veturë është gjuajtur në drejtim të viktimës.