Në një takim me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump në Washington, Kancelari austriak, Sebastian Kurz, ka kërkuar nga ky i fundit angazhimin e tij më të madh në zgjidhjen e problemeve mes Kosovës dhe Serbisë.
Kurzi është kancelari i parë austriak që ka zhvilluar një takim në Shtëpinë e Bardhë në 13 vitet e fundit.
Pas takimit, Kurzi u tha gazetarëve se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një ndikim shumë të madh në Kosovë, ndikim ky që mund të shfrytëzohet në mënyrë pozitive, transmeton agjencia austriake e lajmeve APA.
Austria, tha Kancelari austriak, sheh me pozitivistet dialogun midis Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe mbështet këmbimin e territoreve mes dy vendeve si një zgjidhje e mundshme edhe pse bëhet fjalë për një temë shumë të ndjeshme.
“Nëse të dy palët arrijnë marrëveshje për një çështje, evropianët nuk do të duhej të bëhen pengesë, ashtu dhe amerikanët”, ka thënë Kurz para gazetarëve në Washington, transmeton televizioni publik.
Pas takimit kokë më kokë me Presidentin Trump, delegacioni i Austrisë ka vazhduar takimin në përbërje të zgjeruar, ku janë diskutuar raportet midis Austrisë dhe SHBA-së në shumë fusha.






